Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Protestë dhe Kuvend sot, qytetarët kërkojnë ndryshim të klasës politike, deputetët “ballafaqohen” në Parlament, në FOKUS dhe pagat e magjistratëve (DETAJE)

Shkruar nga Newsbomb
Protestë dhe Kuvend sot, qytetarët kërkojnë ndryshim të
Ilustrim: Salla e Kuvendit dhe protestuesit para institucionit

Rreth orës 10 të mëngjesit të sotëm do të mbahet seanca e radhës parlamentare e njëherazi dhe protesta qytetare para Kuvendit.

Referuar rendit të ditës mësohet se seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të seancës plenare të datës 8 shtator, ndërsa pritet të zhvillohet dhe parashikuar pesë interpelanca urgjente të kërkuara nga demokratët. Ndërkohë, në ditën e 108-të të protestës, protestuesit njoftuan për tubimin e radhës që do të zhvillohet në orën 10 të mëngjesit të sotëm, ku ata do të jenë sërish bashkë para Parlamentit duke pritur me vezë në duar deputetët.

Interpelanca e parë pritet të zhvillohet me Ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, e dyta me Ministrin e Punëve të Brendshme dhe interpelancat e tjera do të mbahen me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro dhe Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu.

Gjithashu mësohet se deputeti Blendi Himçi ka kërkuar “të përballet” me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Ky i fundit të premten që lamë pas, pas mbylljes së mbledhjes së qeverisë bëri me dije se në këtë seancë do të marrin përgjigje pyetje të shumta në lidhje me përmbushjen e detyrave të ministrisë që ai drejton. Megjithatë, pritet për t’u parë nëse do të jetë i pranishëm apo jo të enjten në Kuvend.

Po ashtu, në vijim të seancës që do të zhvillohet të enjten, deputetët do të shqyrtojnë një sërë projektligjesh, mes tyre projektligjin për ratifikimin e Konventës për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën, të bërë në Hagë më 16 dhjetor 2025. Në rend dite përfshihet dhe projektligji për ratifikimin e Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës. Po ashtu sot pritet që të merret një vendim nga deputetët dhe për pagat e magjistratëve.

Nga ana tjetër, protesta e ashtuquajtur “Revolucioni Flamingo” hyn sot në ditën e saj të 110-të, ndërkohë që tubimi nis që në orët e para të kësaj të enjteje dhe vijon më tej pasdite, kur qytetarët do të zhvendosen nga Parlamenti ku do protestojnë paraditen e sotme, te Kryeministria aty ku grumbullohen si zakonisht çdo mbrëmje prej gati 4 muajsh.

Rendi i plotë i ditës:

Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 8 shtator 2026.

Njoftime.

Interpelancë urgjente me Ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Interpelancë urgjente me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Interpelancë urgjente me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.

Projektligji “Për ratifikimin e Konventës për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën, bërë në Hagë, më 16.12.2025”.

Pas pyetjeve do të shprehet nismëtari, ndërsa do të paraqesë qëndrimin Komisioni përgjegjës për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Do të japin mendim edhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Më pas do të zhvillohen diskutimet e grupeve parlamentare dhe do të hidhet në votim.

Projektligji “Për ratifikimin e Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës”.

Projektligji do të shqyrtohet pas pyetjeve, me qëndrimin e nismëtarit dhe të Komisionit përgjegjës për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Mendim do të japin Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Pas diskutimeve të grupeve parlamentare do të zhvillohet votimi.

Projektligji “Për pranimin e vendimit DEC-I 1/119-VI/2024, të Këshillit të Anëtarëve të Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit, për ndryshimin e nenit 36 të Marrëveshjes Ndërkombëtare për Vajin e Ullirit dhe Ullinjtë e Tavolinës, 2015, aderuar me ligjin nr. 112/2017”.

Për këtë projektligj do të shprehet nismëtari dhe Komisioni përgjegjës për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural. Mendim do të japin Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Pas diskutimeve do të zhvillohet votimi.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.

Projektligji do të shqyrtohet me pyetje, qëndrimin e nismëtarit dhe të Komisionit përgjegjës për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Mendim do të japin Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Më pas do të zhvillohen diskutimet dhe votimi.

Projektligji “Për disenjot”.

Pas pyetjeve dhe qëndrimit të nismëtarit, do të shprehet Komisioni përgjegjës për Ekonominë, Punësimin dhe Financat. Mendim do të japin Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Projektligji do të kalojë më pas për diskutim dhe votim.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10236, datë 18.2.2010, ‘Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike’”.

Pas pyetjeve dhe shprehjes së nismëtarit, do të paraqesë qëndrimin Komisioni përgjegjës për Ekonominë, Punësimin dhe Financat. Mendim do të japin Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Në vijim do të zhvillohen diskutimet dhe votimi.

Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 85/2026, ‘Për caktimin e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit’”.

Projektvendimi do të hidhet në votim.

Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 86/2026, ‘Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit’”.

Edhe ky projektvendim parashikohet të kalojë për votim.

Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 87/2026, ‘Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit’”.

Projektvendimi do të hidhet në votim me shumicë të thjeshtë.

Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Në këtë pikë, çdo deputet mund të flasë jo më shumë se 5 minuta, ndërsa nëse diskuton në emër të grupit parlamentar, koha maksimale është 8 minuta. Koha totale e diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës nuk mund të jetë më shumë se 60 minuta.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese