E enjte, 17 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sociale

Opozita kërkon Komision Hetimor për “KAYO”, mazhoranca rrëzon kërkesën

Ilustrim · Vizion Plus

Mazhoranca ka rrëzuar në Konferencën e Kryetarëve kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një Komisioni Hetimor për veprimtarinë e kompanisë KAYO.

Kërkesa e opozitës vjen pas publikimit në media të disa audiopërgjimeve, ku ngrihen dyshime për përfshirjen e kompanisë shtetërore në trafik armësh.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se KAYO ka shpenzuar 34 milionë euro dhe kërkoi transparencë mbi mënyrën se si janë përdorur këto fonde.

“Çdo komision hetimor ka për qëllim mbledhjen e informacionit”, tha Bardhi, duke shtuar se opozita ka paraqitur në kërkesë të gjitha informacionet dhe indiciet që, sipas saj, lidhen me çështjen.

Bardhi ngriti pikëpyetje edhe për aktivitetin e kompanisë, duke thënë se deri tani janë shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe se nuk dihet se çfarë ka përfituar shteti nga kjo veprimtari.

Bardhi përmendi edhe Ron Yefet, të cilin e cilësoi si mik të Kryeministrit, duke kërkuar të bëhet e qartë se si ka përfituar nga aktiviteti i KAYO-s.

Ai iu referua gjithashtu audiopërgjimeve të publikuara, duke pretenduar se në to flitet për trafik armësh dhe shitje të armëve në vende në konflikt. Bardhi tha se për këtë çështje ka pasur edhe deklarime të ndryshme nga përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Pra, duhet mësuar e vërteta?!”, u shpreh Bardhi, duke kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor.

Sipas tij, opozita ka kërkuar prej kohësh informacion nga Ministria e Mbrojtjes, por nuk e ka marrë atë. Bardhi tha se komisioni do të shërbente për të shqyrtuar kontratat mes kompanisë shtetërore dhe kompanive private, mënyrën e përzgjedhjes së partnerëve dhe aktivitetin e KAYO-s.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.