Uzuni në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së: Kosova dhe Shqipëria nuk do t’ju harrojnë kurrë

Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, ka reaguar pas vendimit të dhënë në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Uzuni ka shprehur solidaritetin e tij me ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre, duke vlerësuar sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.
“Gjithçka e bëtë për atdheun, për lirinë dhe për popullin e Kosovës. Sakrifikuat rininë, familjet dhe jetën tuaj që brezat e ardhshëm të jetonin të lirë në tokën e tyre”, shkruan Uzuni.
Më tej, futbollisti shqiptar thekson se kontributi dhe sakrifica e tyre janë pjesë e historisë së Kosovës.
“Ju jeni historia e këtij vendi! Kosova, Shqipëria nuk do t’ju harrojë kurrë”, shprehet ai.
Në fund të reagimit, Uzuni ka bërë thirrje për qëndrim të bashkuar dhe ka shprehur mbështetjen e tij për familjet e ish-krerëve të UÇK-së.
“Në këto ditë të vështira, qëndrojmë të bashkuar pranë jush dhe familjeve tuaja. Forcë dhe drejtësi!”, përfundon mesazhi i tij.





