Si shumë figura të njohura të politikës shqiptare, ish-presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani ka reaguar ashpër ndaj vendimi të marrë ditën e djeshme në Hagë për katërshen e UÇK-së, për të cilën shkruan se u bë padrejtësia duke u mbajtur aktgjykim në emër të popullit të Kosovës.
Në reagimin e tij të bërë mbrëmjen e djeshme, Mediani thekson se asnjë trup gjykues nuk duhet të flasë në emër të një populli që nuk e kupton, ndërsa shton se seanca gjyqësore nuk u mbajt as në tokën e tyre.
“Aktgjykimi i sotëm në Hagë mban emrin e popullit të Kosovës, por asnjë gjyqtar i atij trupi gjykues nuk i përket Kosovës e nuk e kupton atë, dhe seanca nuk u mbajt as në tokën e saj. Kjo është pyetja që më mundon më shumë se vetë numri i tejzgjatur, pa arsye, i viteve. Në fakt, në ç’ emër flet një gjykatë e tillë, kur populli që ajo pretendon ta përfaqësojë s’ka zë e peshë brenda saj, por proteston jashtë saj apo sheshet e Kosovës? Aktgjykimi është i shkallës së parë; procesi vazhdon. Drejtësia e munguar duhet të jepet! Por, ama, duhet ta përfaqësojë vullnetin e popullit të Kosovës, jo ta zhgënjejë atë!” shkruan Meidani në reagimin e tij .
Duke sjellë në vëmendje një nga çështjet që në gjykimin e djeshëm që nuk iu dha zë, ish-presidenti nënvizon faktin se Kosova dhe populli i saj kanë qenë viktima të serbëve dhe nuk ka asgjë në këtë botë që mund të vendosë në pikëpyetje pavarësinë e fituar me qindra mijëra jetë të humbura.
Reagimi i Meidanit vijon tej teksa theksohet se asnjë lloj vedimi i marrë kundër katërshes së UÇK-së nuk ua edh dot poshtë rolet, ndikimin, përpjekjet dhe kontributin e tyre falë të cilit Kosova sot është e pavarur, në një moment kur asgjë nuk ishte e garantuar.
“Ajo që nuk vazhdon të diskutohet është konteksti historik: Kosova dhe populli i saj ishin viktimë e dhunës së shtetit serb, jo palë e barabartë me agresorin. Përgjegjësia individuale, nëse do të kishte, assesi nuk mund ta relativizojë atë fakt, as të vërë në pikëpyetje lirinë dhe pavarësinë që Kosova i fitoi me çmim të jetëve njerëzore, veçanërisht të rinjve të saj. Këtë e kanë pranuar këto ditë, ashtu si dhe gjatë krizës kosovare, edhe mjaft zëra perëndimorë dhe kishin e kanë të drejtë
Personalisht mendoj se asnjë vendim gjyqësor nuk mund t’ua heqë vendin që zënë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi në një nga kapitujt më të ndritur të historisë sonë kombëtare. Në atë kohë, kur liria e Kosovës dhe paqja e rajonit ishin ende një ideal pa siguri, ata guxuan të merrnin mbi supe barrën historike për ta sjellë lirinë te populli i tyre, në një moment kur çdo gjë rrezikohej e asnjë sukses nuk ishte i garantuar. Unë e pashë atë rrezik nga afër, në kohën time si President, në pamjet e trishtueshme të dëbimeve me forcë dhe vrasjeve masive. Po ashtu, i kam njohur ata si djem, si luftëtar e udhëheqës trima, me emocionin rinor dhe gatishmërinë për sakrificë, dhe aspak si njerëz të aftë për veprimtari kriminale, që u përshkruhen sot” vijon reagimi i Medianit.
Në përmbyllje të reagimit të tij, diplomati i shquar shkruan se katërshja mban mbi supet e tyre akuzat e ngritura në sajë të luftës së bërë për t’i dhënë popullit lirinë dhe pavarësinë, ndërsa kërkon që shqiptarët të mos heshtin përballë kësaj çështjeje dhe të luftojnë për parimet e demokracisë që kryesohen nga liria, barazia dhe drejtësia për të gjithë, pa përjashtim.
“Sot mendoj për këta katër burra dhe për familjet e tyre, që prej gati gjashtë vjetësh mbajnë peshën e këtij procesi, teksa vazhdojnë ende luftën dhe sakrificën e tyre për të garantuar një Kosovë të lirë. Jam pranë tyre, siç kam qenë e do të jem gjithmonë.
Shqipëria e zgjodhi rrugën perëndimore që në vitet e para të demokracisë, dhe unë e kam mbështetur atë zgjedhje si qytetar e President. Por besnikëria ndaj asaj rruge nuk kërkon heshtje kur diçka na duket e padrejtë. Kërkon që t’u kërkojmë aleatëve tanë Perëndimorë që t’u përmbahen, në çdo rast dhe për çdo popull, sado i vogël qoftë ai, parimeve mbi të cilat është ngritur demokracia, mbi të gjitha: liria, barazia dhe drejtësia për të gjithë, pa përjashtim.
Prandaj besoj se këto dënime duhet të kundërshtohen deri në shkallën e fundit, me çdo mjet ligjor në dispozicion. Madje, Kuvendi i Kosovës ka detyrimin të vendosë që kjo gjykatë, në formën e sotme, nuk meriton të vazhdojë të flasë në emër të një populli që s’e njeh si të vetin” përmbyllet reagimi i Meidanit.
