Dy metodat që tërheqin paratë si magnet, Reina ndan “sekretet”: Formula magjike si të shpëtoni nga syri i keq
Ritualet, bestytnitë dhe praktikat spirituale për të tërhequr fat, dashuri, para dhe prosperitet vazhdojnë të jenë pjesë e besimeve të shumë njerëzve. Nga syri blu dhe peri i kuq, te patkoi, dafina, sherebela dhe kristalet, objekte të ndryshme përdoren prej kohësh si simbole mbrojtjeje dhe mbarësie.
Pikërisht për këto praktika u diskutua në emisionin “Mes’drite” në Vizion Plus, ku e ftuar ishte sipërmarrësja dhe ekspertja e energjisë, Reina Mulita. Ajo foli për mënyrat që, sipas besimeve spirituale, përdoren për pastrimin e energjisë, largimin e negativitetit dhe tërheqjen e prosperitetit.
Një prej bimëve që Reina veçoi Trëndafili i Jerikos, i njohur edhe si “Bima e Ringjalljes”. Bima duket e tharë në gjendjen fillestare, por kur vendoset në ujë hapet dhe bëhet e gjelbër. Sipas Mulitës, në disa kultura latine ajo mbahet në një vazo me ujë dhe brenda vendosen disa monedha, si simbol për tërheqjen e prosperitetit financiar.
Por paratë nuk ishin tema e vetme. Në studio u fol edhe për një prej besimeve më të përhapura në rajon, syrin e keq.
Reina shpjegoi se objektet në formën e syrit, si medalionet apo byzylykët, përdoren në disa tradita si simbole mbrojtëse. Sipas saj, besohet se kur një person përballë transmeton xhelozi apo energji negative, vëmendja e tij drejtohet te simboli i syrit dhe jo te personi që e mban.
Në bisedë u përmend edhe patkoi i kalit, i cili prej shekujsh konsiderohet simbol i fatit dhe mbrojtjes në kultura të ndryshme. Sipas Mulitës, kali lidhet me forcën dhe prosperitetin, ndërsa forma e patkoit është përdorur tradicionalisht si simbol mbrojtës.
Edhe sherebela zë një vend të rëndësishëm në këto praktika. Sipas saj, ajo përdoret kryesisht për pastrimin e energjisë, ndërsa livandoja lidhet me dashurinë dhe qetësinë.
Sa u përket kristaleve, Mulita veçoi citrinën, të cilës në praktikat spirituale i atribuohet lidhja me prosperitetin dhe mirëqenien. Ajo përmendi gjithashtu lepidolitin, aventurinën blu, turmalinën dhe kuarcin e bardhë.
Gjatë bisedës u diskutua edhe për kripën e trashë, e cila në disa tradita përdoret në shtëpi për të larguar atë që besohet të jetë energji negative. Mulita tha se kripa mund të vendoset në ambiente të caktuara të shtëpisë ose të përdoret në sobë, duke u bazuar në besime të trashëguara.
Në fund, Reina Mulita theksoi se njerëzit që kërkojnë këshilla të tilla nuk janë gjithmonë në kërkim të pasurisë. Sipas saj, shumë prej tyre kërkojnë mënyra për të menaxhuar stresin, ngarkesën e punës dhe marrëdhëniet që i konsiderojnë toksike, duke synuar më shumë qetësi emocionale dhe paqe në familje.
Ritualet dhe praktikat e përmendura gjatë emisionit janë pjesë e besimeve popullore dhe spirituale. Nuk ka prova shkencore se dafina, kristalet, amuletët apo ritualet mund të tërheqin realisht para ose të largojnë syrin e keq.




