Mazhoranca socialiste rrëzoi të enjten kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor për veprimtarinë e kompanisë shtetërore të prodhimit dhe tregtimit të armëve “KAYO”, kërkesë e nxitur pas publikimit në media të audiopërgjimeve që e lidhin këtë kompani me një trafik të mundshëm armësh.
Duke argumentuar qëndrimin kundër në Konferencën e Kryetarëve, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, pretendoi se kërkesa nuk plotësonte kriteret kushtetuese dhe ligjore dhe se mbivendosej në veprimtarinë e punës së SPAK-ut në lidhje me dyshimet e ngritura.
Sipas tij, deputetët opozitarë që kërkojnë këtë hetim parlamentar nuk kanë identifikuar një ‘çështje të veçantë’ si objekt të këtij hetimi, si një prej këtyre kushteve ligjore.
“Vendimet e Këshillit të Ministrave, krijimi i shoqërive të përbashkëta nga ‘KAYO’ Sh.a., raportimet mediatike apo audiopërgjimet e publikuara nuk përbëjnë në vetvete prova të mjaftueshme për të krijuar një dyshim të arsyeshëm për veprimtari të paligjshme”, argumentoi Balla, sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e tij e shtypit.
Duke mbrojtur nevojën për një hetim parlamentar, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, tha se parlamenti duhet të kërkojë transparencë për përdorimin nga kjo kompani të afro 34 milionë eurove fonde publike.
“Na rezulton që i vetmi fitues i këtyre parave është Ron Yefet, mik i kryeministrit. Kjo del hapur në audiopërgjim dhe këtë audiopërgjim e konfirmoi kompania ku është bërë regjistrimi”, tha Bardhi, duke shtuar se Kuvendi ka të drejtë të kërkojë llogari nga Ministria e Mbrojtjes për mënyrën se si këto para janë përdorur.
Duke këmbëngulur se kërkesa kishte objekt një çështje të veçantë sipas kritereve ligjore, Bardhi tha se ajo që kërkohet të hetohet janë kontratat e lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private, çështje për të cilën Ministria e Mbrojtjes ka refuzuar, sipas tij, të japë informacion.
Qeveria shqiptare synon të rijetësojë industrinë e mbrojtjes duke e përdorur këtë ndërmarrje publike si një platformë ligjore për të lidhur kontrata dhe marrëveshje bashkëpunimi me operatorë privatë vendas e të huaj.






