Trump kërcënon Evropën me tarifa, Presidenti amerikan i pakënaqur me afrimin e Kanadasë me BE

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj idesë që Kanadaja të afrohet më tej me Bashkimin Evropian.
Trump e cilësoi si “qesharake” mundësinë që Kanadaja të bëhet anëtare e asociuar e BE-së, duke paralajmëruar Evropën me tarifa të larta nëse një lëvizje e tillë do të shihej si armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara.
“Nëse e bëjnë këtë dhe nëse mendoj se është një akt armiqësor, do të vendos tarifa shumë serioze ose do të ndaloj tregtinë me Evropën për shumë gjëra. Nëse është një qëllim i mirë, kjo është në rregull”, tha Trump.
Deklaratat e Trumpit vijnë pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se dëshiron t’i hapë derën Kanadasë për një status të ri si “anëtare e asociuar” e BE-së.
Nga ana tjetër, kryeministri kanadez Mark Carney ka sqaruar se vendi i tij po kërkon një “aleancë unike” me Evropën dhe jo anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Përplasja e re vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Evropës mbeten të tensionuara për shkak të luftës dhe politikës tregtare.
Edhe Australia po sheh me interes afrimin e ri me Bashkimin Evropian. Ministri australian i Tregtisë, Don Farrell, tha se Canberra është “në të njëjtën faqe” me Kanadanë dhe do të ndjekë me vëmendje përpjekjet e Otavës për një aleancë më të thellë me Brukselin.
Australia nuk ka kërkuar zyrtarisht statusin e anëtarit të asociuar, por ka sinjalizuar gatishmëri për të thelluar më tej marrëdhëniet me BE-në, në një kohë kur të dyja palët kanë forcuar bashkëpunimin në tregti, siguri dhe mbrojtje.




