Deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, në një deklaratë të shkurtër për gazetarët ka bërë me dije se këtë të enjte kërkoi që të fliste në Kuvend sa i përket vendimit të një dite më parë nga Specialja, e cila dënoi me 81 vite burg ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo që nuk u lejua.
“Kërkova me fjalën për të kërkuar përgjegjësi dhe përgjigje ndaj neglizhencës nga institucionet shqiptare ndër vite për çështjen e Kosovës. Nuk mu dha e drejta e fjalës për një çështje që është më e rëndësishme sot për sot për shqiptarët sepse është detyrim kushtetues për shtetin tonë shqiptar që t’u garantojë mbrojtje, liri dhe të drejta të të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufirit.
Çështja e Kosovës është neglizhuar sistematikisht. Shteti shqiptar është konsoliduar në marrëdhëniet ndërkombëtare por për çfarë po përdoren këto miqësi nëse nuk i vendosim në shërbim të interesave shtetërore këto lidhje. Këto lidhje po përdoren më shumë për interesa politike, sesa për dinjitetin e shtetit”, tha ajo, teksa më tej u pyet lidhur edhe me marrëdhëniet me ish-kolegët socialistë.
Gjatë fjalës së saj, deputetja e cila prej muajsh tanimë ka dalë nga rreshti i të majtës shqiptare deklaroi se për vendimin e saj nuk ka biseduar me askënd nga Partia Socialiste dhe që nuk ka asnjë marrëdhënie me deputetët e mazhorancës.
Po ashtu ajo u pyet edhe lidhur me kallëzimin që Bajrat i bënë në SPAK, pak pas një deklarate të bërë publike nga vetë ajo se ata e kishin kërcënuar.
Duke mos dhënë më tepër detaje lidhur me këtë ngjarje, Koçeku u shpreh shkurtimisht se akuzat e saj janë të bazuara në prova.
