Radio Televizioni Shqiptar do të nisë sezonin e ri televiziv me një identitet të ri vizual, ndryshime në programacion dhe zgjerim të pranisë në platformat digjitale. Risitë u prezantuan të mërkurën gjatë një aktiviteti në hollin “Gjon Simoni”, ku RTSH bëri të ditur edhe disa nga projektet që do të sjellë në ekran.
Ndryshimet përfshijnë grafikën e kanaleve, figura dhe formate të reja televizive, si dhe një platformë OTT, përmes së cilës transmetuesi publik synon ta bëjë përmbajtjen të aksesueshme edhe përtej transmetimit tradicional.
Pjesë e sezonit të ri do të jenë gjithashtu pesë produksione ndërkombëtare, nga serialet turke te dramat historike dhe produksionet evropiane. Paketa përfshin tituj që janë transmetuar ose shpërndarë më parë në tregje ndërkombëtare, mes tyre produksione të lidhura me Disney+, një serial të prezantuar në CANNESERIES, një dramë historike me kast ndërkombëtar dhe një miniserial me aktorin Can Yaman.
Programacioni nuk do të mbështetet vetëm te serialet. RTSH njoftoi se sezoni do të përfshijë spektakle, filma, dokumentarë dhe programe për fëmijë, ndërsa aktualiteti dhe debatet politike do të vijojnë të jenë pjesë e fashave kryesore të transmetimit.
Logo dhe grafikë e re nga 21 shtatori
Një prej ndryshimeve më të dukshme është identiteti vizual. Prej disa javësh, RTSH ka publikuar në ekran dhe në rrjetet sociale mesazhe si “Diçka po lind”, “E kuqja ka histori”, “Historia jeton” dhe “Horizonti po ndryshon”, si pjesë e fushatës që parapriu prezantimin.
Identiteti i ri mbështetet në një formulë më minimale, me emrin RTSH dhe një element rrethor që përshtatet sipas kanalit. Sipas prezantimit të bërë nga televizioni publik, grafika e re do të përdoret jo vetëm në transmetimin televiziv, por edhe në aplikacione, faqen online, YouTube, Instagram dhe formate të tjera digjitale.
Ngjyra e kuqe ruhet si një prej elementeve qendrore të identitetit. Pamja e re, e prezantuar gjatë aktivitetit, pritet të shfaqet në transmetim për publikun më 21 shtator.
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, tha se ndryshimi vizual është pjesë e një procesi më të gjerë që synon të kalojë institucionin nga faza e riorganizimit te forcimi i pozicionit të tij në tregun mediatik.
“Tani RTSH duhet të kalojë nga normalizimi i institucionit, që ndodhi në vitin e kaluar, te marrja e një vendi dinjitoz në tregun mediatik shqiptar”, tha Vasili.
Ajo bëri të ditur se në sezonin e ri do të ketë edhe prezantues dhe autorë të rinj. Sipas saj, përzgjedhja është mbështetur te profesionalizmi, energjia dhe marrëdhënia me publikun.
Platforma OTT dhe ndryshimet në mënyrën e transmetimit
Një tjetër projekt i prezantuar është platforma OTT e RTSH-së, e cila synon t'u japë përdoruesve mundësi për të ndjekur përmbajtjet përmes internetit dhe pajisjeve të ndryshme, duke e afruar transmetuesin publik me modelin e platformave streaming.
Në aktivitet ishte e pranishme edhe Radka Betcheva, drejtuese e marrëdhënieve me anëtarët për Evropën Qendrore dhe Lindore në Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU). Ajo e lidhi zhvillimin e platformës me ndryshimin e mënyrës se si audiencat konsumojnë sot përmbajtjen mediatike.
“Platforma e re OTT është një shembull shumë i mirë. Të shkosh aty ku ndodhet sot audienca nuk do të thotë të largohesh nga misioni i shërbimit publik”, tha Betcheva.
EBU është përfshirë gjithashtu me ekspertizë në procesin e reformimit të RTSH-së. Sipas Vasilit, bashkëpunimi ka përfshirë rishikimin e strukturës së institucionit dhe pritet të lidhet edhe me ndryshime ligjore.
Betcheva tha se transformimi i RTSH-së duhet parë në kontekstin më të gjerë të ndryshimeve që po kalojnë mediat publike evropiane për shkak të teknologjisë dhe zhvendosjes së audiencave drejt platformave digjitale.
Në prezantimin e sezonit të ri morën pjesë gjithashtu përfaqësues të qeverisë, mes tyre ministri Blendi Gonxhja dhe ministrja Mirela Kumbaro, si dhe gazetarë, artistë dhe figura të televizionit.
Me ndryshimet e paralajmëruara, RTSH po ndërhyn njëkohësisht në tri drejtime: në mënyrën si paraqitet vizualisht, në përmbajtjen e programacionit dhe në mënyrën se si kjo përmbajtje shpërndahet. Identiteti i ri vizual pritet të jetë ndryshimi i parë që do të shohë publiku në ekran nga 21 shtatori, ndërsa programet dhe produksionet e reja do të shtrihen përgjatë sezonit televiziv.
