Sport

Barcelona mendon për epokën pas Hansi Flick, Cesc Fabregas në krye të listës

Barcelona ka nisur të projektojë të ardhmen edhe përtej Hansi Flick, pavarësisht se klubi vazhdon të jetë shumë i kënaqur me punën e trajnerit gjerman. Sipas raportimeve të medias katalanase “Sport”, në planet afatgjata të drejtuesve katalanas është shfaqur emri i Cesc Fabregas, aktualisht trajner i Como-s.

Fabregas po monitorohet nga afër nga Barcelona dhe konsiderohet një profil që përshtatet me idenë sportive të klubit. Puna e tij te Como, mënyra e lojës dhe aftësia për të zhvilluar lojtarët kanë tërhequr vëmendjen e drejtuesve të klubit katalanas.

Madje, sipas “Sport”, një figurë e rëndësishme e Barcelona-s i ka përcjellë Fabregas-it një mesazh të qartë: nëse vendos të largohet nga Como, duhet të kontaktojë fillimisht klubin katalanas përpara se të shqyrtojë opsione të tjera.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Barcelona po përgatitet të shkarkojë Flick. Përkundrazi, gjermani gëzon besimin e plotë të drejtuesve dhe kontrata e tij shkon deri në vitin 2028, duke e bërë çdo ndryshim një çështje të së ardhmes.

Flick po përjeton ndërkohë një nisje fantastike të sezonit. Barcelona ka fituar shtatë ndeshjet e para zyrtare të sezonit, ndërsa triumfi 7-2 ndaj Racing Santander e vendosi gjermanin në një rekord të ri për klubin sa i përket fillimit të sezonit.

Në anën tjetër, Fabregas po ndërton një profil gjithnjë e më të fortë si trajner. Në debutimin e Como-s në Champions League, skuadra e tij mposhti 4-1 RB Leipzig-un, ndërsa sezoni i ri ka nisur gjithashtu në mënyrë pozitive për klubin italian.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.