Vendimi i Hagës bashkon PS dhe PD, Kuvendi: I padrejtë dënimi i Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

17 Shtator 2026 | 15:18

PS dhe PD kanë dalë me një deklaratë të përbashkët në Kuvend për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, që dënoi me gjithsej 81 vite burg katër ish-liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në deklaratën e lexuar në Kuvend nga kryetari Niko Peleshi, Kuvendi i Shqipërisë shpreh “indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë” me vendimin, të cilin e konsideron “thellësisht të padrejtë” ndaj katër ish-liderëve të UÇK-së.

“Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet”, tha Peleshi.

Sipas deklaratës, UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Slobodan Miloševiçit. Kuvendi e cilëson UÇK-në si forcë vendimtare të rezistencës së popullit të Kosovës dhe të rrugës drejt çlirimit, lirisë dhe pavarësisë.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga lufta për çlirim dhe nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së saj”, u shpreh Peleshi.

Kreu i Kuvendit deklaroi gjithashtu se një aktgjykim nuk mund të ndryshojë historinë e Kosovës.

“Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së”, tha ai.

Në deklaratë Kuvendi shpreh edhe shqetësimin për atë që i cilëson si standarde të dyfishta në trajtimin e së kaluarës së rajonit. Peleshi përmendi edhe nderimet publike dhe shtetërore ndaj personave të dënuar për krime lufte, si dhe glorifikimin e figurave të lidhura me gjenocidin dhe spastrimin etnik, përfshirë Ratko Mladiçin.

“Këto cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat europiane”, thuhet në deklaratën e Kuvendit.

Kuvendi shprehet gjithashtu kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për të instrumentalizuar politikisht procesin, për të relativizuar krimet e regjimit të Miloševiçit dhe për të delegjitimuar luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

“Kuvendi i Shqipërisë qëndron në solidaritet të plotë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, si dhe pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre”, tha Peleshi.

Në deklaratë theksohet se Kuvendi mbetet i bindur për pafajësinë e katër ish-liderëve të UÇK-së dhe se “UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës”.

“Kjo nuk është fjala e fundit. Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund, duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të procesit të rregullt ligjor”, tha Peleshi.

Në përfundim, Kuvendi i Shqipërisë angazhohet që në forumet ndërkombëtare të denoncojë krimet e regjimit serb të Slobodan Miloševiçit në Kosovë, të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të dënojë, sipas deklaratës, mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve.

Gjithashtu, Kuvendi deklaron se do të koordinojë veprimet me Kuvendin e Kosovës dhe u bën thirrje dy qeverive që të koordinojnë veprimet me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Diskutime brenda mbledhjes së Grupit të PS, Braçe kërkon qëndrim ndaj magjistratëve: Thanë se nuk na njohin

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar gjatë mbledhjes së grupit parlamentar që PS të dalë me një qëndrim lidhur me gjyqtarët dhe prokurorët....
10:30 | 17/09/2026

PS mbledhje grupi para seancës, zbulohen detaje nga mbledhja! Do lexohet në deklaratë për vendimin ndaj UÇK-së

Seanca plenare e Kuvendit ende nuk ka nisur, pasi Partia Socialiste po zhvillon mbledhjen e grupit parlamentar. Mësohet nga gazetarja e Euronews Albania Eksiola Shehu...
10:17 | 17/09/2026

Katër kopje të librit të ri për Princeshë Dianën vidhen në Holandë

Katër kopje të librit të ardhshëm të Earl Spencer për motrën e tij, Diana, Princesha e Uellsit, janë vjedhur nga një kamion në Holandë, vetëm...
21:15 | 16/09/2026