Miliarderi shqiptar nga Kosova, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook” ka bërë një apel publik për qeverinë e Shqipërisë.
Përmes një statusi biznesmeni i ka bërë thirrje qeverisë të rishqyrtojë qëndrimin e saj dhe të krijojë kushtet për një dialog institucional dhe konstruktiv. Ky reagim i Pacollit vjen pas vendimit të qeverisë, të cilin ai e konsideron të njëanshëm, për të bërë ndërprerjen e kontratës së koncesionit të Aeroportit të Vlorës, gjë kjo e cila solli “detyrimin” e MABCO-s që t’i drejtohej arbitrazhit ndërkombëtar.
“Më 16 shtator 2026, arbitra e emergjencës e ICC-së, në kuadër të procedurës me seli në Londër, nxori një urdhër paraprak që i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të përmbahet, gjatë procedurës së emergjencës, nga çdo veprim lidhur me ndërprerjen e koncesionit që mund të përkeqësojë mosmarrëveshjen ose të cenojë këtë procedurë. Ky urdhër duhet respektuar”, shkruan Pacolli.
Teksa më tej në shkrimin e tij thekson se nuk është synyar që në fillim zgjidhja e çështjes përmes arbitrazhit, por përkundrazi kanë kërkuar zhvillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeve që do të mundësonte vazhdimin e punimeve dhe përfundimin e aeroportit.
“I bëj thirrje Qeverisë edhe një herë të zgjedhë dialogun dhe një zgjidhje të dakordësuar. Përfundimi i kësaj vepre dhe vënia e saj në shërbim të qytetarëve, turizmit dhe ekonomisë shqiptare do të ishte në interes të publikut dhe do të shmangte shpenzime të konsiderueshme për procedura ligjore.”, tha ai duke ritheksuar se: “MABCO nuk don arbitrazhin. MABCO synon përfundimin e Aeroportit të Vlorës.
Qëllimi ynë është të përfundojmë këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore dhe t’ia dorëzojmë Shqipërisë si një aset me vlerë, që do t’u shërbejë qytetarëve dhe brezave të ardhëshme. Ne nuk kërkojmë konflikt, nuk kerkojmë favore por kërkojmë të përfundojmë atë që kemi nisur sikurse kemi bërë në gjithë Botën.
Pavarësisht rrethanave, lidhja ime me Shqipërinë dhe përkatësia ime ndaj këtij vendi mbeten të pandryshuara.”
Postimi i plotë:
APEL PUBLIK PËR QEVERINË E SHQIPËRISË
Pas vendimit të njëanshëm të Qeverisë për ndërprerjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin e Vlorës, MABCO, investitori dhe financuesi i këtij projekti, si dhe zotëruesi i 98% të kuotave të VIA-s, u detyrua, në përputhje me kushtet kontraktuale, t’i drejtohej arbitrazhit ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave dhe investimit të saj.
Më 16 shtator 2026, arbitra e emergjencës e ICC-së, në kuadër të procedurës me seli në Londër, nxori një urdhër paraprak që i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të përmbahet, gjatë procedurës së emergjencës, nga çdo veprim lidhur me ndërprerjen e koncesionit që mund të përkeqësojë mosmarrëveshjen ose të cenojë këtë procedurë. Ky urdhër duhet respektuar.
I bëj thirrje Qeverisë që të rishqyrtojë qëndrimin e saj dhe të krijojë kushtet për një dialog institucional dhe konstruktiv.
MABCO NUK KA SYNUAR zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes ARBITRAZHIT. Përmes më shumë shkresave, tentativave për takim, thirrjeve për veprime konstruktive dhe shmanjen e pëngesave, kemi kërkuar vazhdimisht zhvillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje civilizuese që do të mundësonte vazhdimin e punimeve dhe përfundimin e aeroportit.
Propozimi ynë mbetet i qartë: të na mundësohet përfundimi i aeroportit dhe vënia e tij në funksion.
Në këtë fazë, kërkojmë që në VIA të këthehet legjitimiteti, puna dhe investimi ynë të respektohen dhe që procesi i përfundimit të aeroportit të vijojë.
I bëj thirrje Qeverisë edhe një herë të zgjedhë dialogun dhe një zgjidhje të dakordësuar. Përfundimi i kësaj vepre dhe vënia e saj në shërbim të qytetarëve, turizmit dhe ekonomisë shqiptare do të ishte në interes të publikut dhe do të shmangte shpenzime të konsiderueshme për procedura ligjore.
Behgjet Pacolli

