Nga foltorja e Kuvendit, Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, akuzoi ashoer mazhorancen për mos votimin e rezolutës që njeh gjenocidin serb në Kosovë. Balliu deklaroi se “aktet janë ato që bëjnë diferencën” dhe akuzoi qeverinë për qëndrime në kundërshtim me interesin kombëtar, duke përmendur edhe raportet me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Deklarata e plote:
Deklarata ishte një akt pozitiv, por janë aktet ato që bëjnë diferencën. Në deklarata mund të thuhen shumë gjëra, ndërsa akti mbetet dhe tregon qëndrimin e vërtetë.
Dhe fakti është se kjo mazhorancë nuk e votoi rezolutën që njeh gjenocidin serb në Kosovë.
Pse ka rëndësi kjo çështje?
Aleksandër Vuçiçi, në çdo kancelari të botës, deklaron se nuk kanë ekzistuar krime serbe ndaj shqiptarëve dhe se nuk ka pasur gjenocid serb në Kosovë. Dhe sot, përballë këtij qëndrimi, kemi një fakt të rëndë: Parlamenti shqiptar nuk pranon të votojë një rezolutë që njeh gjenocidin serb në Kosovë.
Së dyti, u tha këtu se nuk ka rëndësi si arritëm në këtë pikë, nëse ishte nga padija apo nga pamundësia. Jo! Këtu arritëm nga tradhtia ndaj interesit kombëtar.
Sepse ishte kryeministri juaj dhe askush tjetër që shkoi në Kosovë për t’i bërë presione të ndryshme kryeministrit Hoti dhe lidershipit të Kosovës për të firmosur Gjykatën Speciale, një gjykatë që sot ka dënuar krerët e UÇK-së. Dhe këtë e bëri për interesa të tij personale.
Ishte kryeministri juaj dhe askush tjetër që shkoi në kancelaritë e botës për të justifikuar Aleksandër Vuçiçin përpara europianëve për qëndrimin e tij ndaj Ukrainës, ndërkohë që nga ana tjetër sanksiononte Kosovën.
Si mund të mos votohet një rezolutë që dënon dhe njeh gjenocidin serb në Kosovë?
Të gjithë e dimë çfarë ka ndodhur: foshnja të vrara në djep, gra e të mitura të dhunuara, fëmijë të vrarë para syve të prindërve dhe familjeve të tyre. Si mund të mos votohet një rezolutë për të njohur këtë gjenocid?
A nuk është kjo e njëjta qeveri që shpalli non grata protestuesit shqiptarë, duke pretenduar se kishin lidhje me Ahmed al-Sharaa-n?
Atëherë, pse nuk shpallni non grata ministren serbe që deklaron se Millosheviçi nuk vrau mjaftueshëm? Pse nuk shpallni non grata ministrat dhe zyrtarët serbë që glorifikojnë Millosheviçin dhe Aleksandër Vuçiçin?
Ju, në vend që ta denonconi Vuçiçin, e përqafoni. Në vend që ta përballni me të vërtetën e krimeve serbe në Kosovë, e takoni dhe e justifikoni përpara interesit kombëtar.
Rezolutën do ta sjellim sërish në Parlament.
Dhe atëherë do të shohim nëse do të bëni akte, apo do të vazhdoni me deklarata dhe llafe bosh.
© SYRI.net