Vllaznia do të tentojë fitoren e parë përballë Teutës në stadiumin “Loro Boriçi”.
Shkodranët nuk duken në formën më të mirë në këtë fillim sezoni dhe për të këtë do të bëjnë cmos që ndaj durrsakëve kryesues të marrin maksimumin. Në ndeshjen hapëse të javës së pestë në Kategorinë Superiore, kuqeblutë bëjnë llogaritë pa Adnard Mehmeti, i cili do ta shlyejë pezullimin pas kartonit të kuq të marrë në përballjen me Laçin dhe mungesa tani prej javësh në rradhët e shkodranëve, Lirim Kastrati.
Në anën tjetër, durrsakët udhëtojnë në Shkodër me grupin e plotë dhe të motivuar për të mbrojtur vendin e parë në renditje, shkruan A2.
Në prag të sfidës, në konferencën për shtyp ishte futbollisti i Vllaznisë Emiljano Musta i cili përballë gazetarëve u shpreh se detyra do të jetë e vështirë por ekipi zbret në fushë vetëm për fitore: “Besoj se nuk është momenti i duhur për të thënë se kush është i pari dhe kush është i fundit. Janë vetëm katër javë kampionat. Nuk besoj që është renditja që tregon vlerat aktuale të çdo ekipi.Patjetër që skuadra është gati se kemi lojtarë me eksperiencë. E kemi nisur pak keq. Është pak e vështirë sepse kemi lënë disa pikë, por mendoj se kemi forca të ringrihemi dhe të rikthehemi sërish te fitorja.Në futboll ndonjëherë është kështu. Duhet të vijë një ekip i fortë, që të zgjohesh dhe të reagosh. Vllaznia e ka forcën që kundër çdo ekipi të tregojë më të mirën ose të marrë maksimumin. Janë djemtë të gjithë me eksperiencë, kemi shumë pak djem të rinj. Lojtarët kanë treguar që kanë fituar tituj, kanë treguar më të mirën se çfarë mund të bëjnë në Superiore. Teutën e respektojmë. Është ekip mjaft i mirë, i investuar, me trajner mjaft të mirë, por ne do shkojmë për fitore”.
Java e pestë do të vijojë të shtunën me dy sfida të tjera: Vora-Skënderbeu dhe Dinamo-Laçi, ndërsa të dielën janë rezervuar dy takime që premtojnë emocion. Tirana pret Elbasanin në stadiumin “Selman Stërmasi”, ndërsa Egnatia sfidon Partizanin në Rrogozhinë. (A2 Televizion)