Bashkim Ahmeti hap ekspozitën e tij të parë pas shumë kohësh

17 Shtator 2026, 17:35Kulturë TEMA
Bashkim Ahmeti hap ekspozitën e tij të parë pas shumë

Piktori Bashkim Ahmeti rikthehet me ekspozitën e tij pas shumë kohësh në Tiranë.

“Wanderlust” – “Piktura si Gjeografi e Kujtesës” sjell në mjediset e Galeria Gocat tek Piramida punimet e viteve të fundit të piktorit. Një ndërthurje mes natyrës shumëngjyrëshe dhe peisazheve simbolikë.

“Natyra e Shqipërisë dhe histori personale, të vjetra ato shpeshherë duket sikur unë pikturoj mite dhe legjenda, por marr shkaks nga histori të vjetra për të kuptuar substancën e historisë tonë. Do të veçoja këtë pikturën që e quaj Gjon Gjoj, një histori e dëgjuar në fëmijëri, që motra kërkonte vëllanë. Unë e pikturova duke fluturuar. Për të krijuar një marrëdhenie personazhesh”, tha piktori Bashkim Ahmeti.

Veprat ndërthuren gjithashtu me elementë të historisë dhe trashëgimisë kulturore që lidhen me identitetin shqiptar.

“Arti im ka një frymë romantike në kuptimin që dëshiroj të pikturoj vënde të largëta të kujtesës sime dhe asaj kolektive dhe personazhe pak romantikë të ngjarjeve. Rrobat edhe veshjet, kam insistuar te silueta e burrit, gruas, fustanellës. Polifonia vjen vetvetiu, po shkove te një siluetë e një burri me plis e gunë të kujton polifoninë. Silutetat e karaktereve që unë pikturoj”, tha Ahmeti.

Gjirokastra, vendlindja e tij mbetet muza frymëzuese dhe pjesë e pandashme e imagjinatës së piktorit Bashkim Ahmeti.

“Janë mbresat e mi të parë të fëmijërisë aty kam filluar të pikturoj. Në këtë ekspozitë është një tabllo e madhe që quhet “Dimër në Gjirokastër” dhe është një tabllo monumentale dhe me kuptime simbolike”, tha Ahmeti.

E konceptuar si meditim mbi lëvizjen, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 18 tetor, ndërsa ka ngjallur interes, pasi i fton vizitorët jo vetëm të sodisin pikturat por të futen në botën e zbulimit të artistit. A.K./TemA

Lini një Përgjigje