E enjte, 17 Shtator 2026 Zilia deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 2 orë më parë
Kronikë

Debati për pagat, Alibeaj: Kushtetuesja përcaktoi sistemin, qeveria po i bllokon

Ilustrim · Vizion Plus

Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka komentuar debatin për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke u ndalur te vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe kompetencat e institucioneve të drejtësisë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, Alibeaj tha se Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jokushtetues ndryshimin e sistemit të pagave të bërë në vitin 2023 dhe ka përcaktuar rikthimin e sistemit që ishte në fuqi përpara këtij ndryshimi.

Sipas tij, ky sistem ishte miratuar në vitin 2017, në kuadër të reformës në drejtësi.

Ai akuzoi qeverinë se, që prej 1 gushtit, ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke bllokuar, sipas tij, pagat e magjistratëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Alibeaj tha se ekzekutivi duhej të zbatonte sistemin e pagave të përcaktuar nga Kushtetuesja.

Alibeaj hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se KLGJ dhe KLP kanë vepruar në mënyrë të njëanshme për përcaktimin e pagave, duke theksuar se këto institucione, sipas tij, kanë zbatuar dispozitat e mëparshme ligjore.

INTERVISTA E PLOTË:

Kujt i takon ta caktojë pagën, Kuvendit apo Këshillit të Lartë Gjyqësor?

Alibeaj: Gjykata Kushtetuese e ka gjetur ndryshimin që ndodhi në 2023 si jokushtetues. Gjykata Kushtetuese ka thënë diçka tjetër, që sistemi i pagave të gjyqtarëve,magjistratë, gjyqtarë dhe prokurorë  do duhet të jetë ai i cili ishte në fuqi deri në vitin 2023. Kujtoj këtu që ai sistem pagash që ishte në fuqi deri në vitin 2023 ishte sistemi i pagave i miratuar, nëse s’gaboj, në vitin 2017. Pra gjatë kohës së miratimit të reformës në drejtësi. Një nga çështjet thelbësore, risitë e asaj kohe, ishte rritja e nivelit të pagës që kishin prokurorët. Pra magjistratë të mirëpaguar do të thotë drejtësi e shëndoshë. Nga një gushti i këtij viti, pagat e magjistratëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve përllogariten në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese sipas sistemit që ishte në fuqi nga 2017. Nuk ka një vakuum ligjor. Pra pyetjes suaj se kush ka të drejtë i ka dhënë zgjidhje vetë Gjykata Kushtetuese, do të jetë ai sistem page që ishte deri në vitin 2023. Çfarë ka ndodhur nga një gushti e më pas? Kanë ndodhur për mua dy shkelje kushtetuese të bëra nga dy pushtetet e tjera, nga ekzekutivi dhe nga parlamenti. Ekzekutivi, cila është shkelja? Shkelja është flagrante, ka bllokuar pagat e magjistratëve. Pra, meqë është qeveria, kur them qeveria është kryeministri, e ka thënë vetë, “u konsultua me mua ministri i financave”, ministri i financave së bashku dhe me drejtorët e thesareve në rrethe, në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, deri dhe në shkelje penale, kanë bllokuar pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Duhet t’u jepte pagat e vjetra siç ishin në piramidën e vjetër?

Alibeaj: Po, atë që vendosi Gjykata Kushtetuese. Ajo tha që sistemi i vjetër, që ishte në fuqi nga 2017 dhe 2023 është ai i rregullti, është ai në përputhje me Kushtetutën. Nga 2023 -2026, piramida s’ka qenë në rregull, ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.

Unë po mundohem të shpjegoj çfarë ka bërë KLGJ-ja dhe KLP-ja. Të sqarojmë një gjë që është thelbësore. Unë e thashë pak më parë, po e ripërsëris, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar që sistemi i pagave do të jetë ligji i mëparshëm. E për këtë arsye KLGJ-ja dhe KLP-ja nuk kanë bërë asgjë më shumë, asgjë më pak se sa kanë zbatuar ligjin e mëparshëm.

Si lindi konflikti për pagat?

“Një vendim i Gjykatës Kushtetuese i shkurtit të këtij viti shfuqizoi një vendimmarrje të parlamentit të vitit 2023. Në këtë vendim Gjykata Kushtetuese i kërkon parlamentit që të rishikojë pagat e magjistratëve, pasi sipas gjykatës, në mënyrë të fshehtë apo indirekte, pagat realisht ishin ulur, gjë që Kushtetuta e ndalon absolutisht. Pagat e gjyqtarëve në Shqipëri nuk mund të ulen. Në këtë kushte pra, parlamenti është i detyruar që të rishikojë pagat, por këtë gjë parlamenti nuk e bëri deri në korrik të këtij viti. Dhe çfarë ndodhi? Magjistratët përmes qeverisjes së tyre, KLGJ-së, Këshillit të Lartë Gjyqësor, morën një vendim për të caktuar një piramidë pagash që ishte pak për të thënë ndoshta e çuditshme. Flitet për paga që shkojnë nga pesë deri në dhjetë mijë euro, dhe këtu jemi në një ngërç. Këshilli i Lartë Gjyqësor vijon me këtë ide. Kuvendi ndërkohë ka nisur që të shqyrtojë pagat e reja të gjykatësve”, sqaroi Aleksandër Furxhi. 

/vizionplus.tv

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.