Kreu i PD-së, Sali Berisha, i ftuar në “Opinion”, ka komentuar sërish vendimin e Dhomave të Specializuara për ish-krerët e UÇK-së. Berisha tha se nuk di një rast të dytë kur ata që qëndruan për çlirim, liri e dinjitet dënohen njësoj apo më rëndë sesa agresorët.
“Unë e ndoqa vendimin. Unë nuk di një rast të dytë që ata që qëndruan për çlirim, liri e dinjitet dënohen njësoj apo më rëndë sesa agresorët. Këto janë dënimet më të rënda që janë dhënë për luftën në ish-Jugosllavi. Populli i Kosovës ka qenë populli më i viktimizuar, i agresuar, i shtypur”, tha ai.
Sa i përket ngritjes së Gjykatës Speciale, Berisha tha se ish-sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hillary Clinton, i ka kërkuar që ta mbështesë këtë gjykatë. Ndërsa Berisha tha se e ka përshëndetur ngritjen e Gjykatës në momentin që u themelua.
“Më ka kërkuar zonja Hillary Clinton që të bëj një deklaratë që ta mbështes. I thashë personit që dërguan: "Do ta bëj pasi ta firmosin", se jam i parimit që Kosova duhet të jetë e pavarur, jo vasale. Pasi u firmos marrëveshja, përshëndeta. Kam qenë pro ngritjes, por jo në këtë bazë ligjore”, deklaroi ai.
