Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Roland Bimo, e konsideron vendimin e Gjykatës Speciale si një vendim të një gjykate tërësisht të politizuar. Duke iu referuar intervistës së Paul Williams në Zërin e Amerikës, Bimo thotë se shpjegimi pse SHBA u bashkua me europianët për t'i bërë presion Kosovës për të pranuar gjykatën, tregon se çështja shqiptare në rajon është kthyer në plaçkë tregu për fuqitë e mëdha, siç ka qenë në vitin 1913.
Sipas tij, rreziku është edhe më i madh në planin politik dhe të sigurisë. Bimo argumenton se Evropa, për të shlyer njollën e zezë të turpit që është krijuar në territorin e saj nga gjenocidi serb, mundohet të krijojë një ekuivalent moral duke fajësuar shqiptarët. Ai shton se gjykata shkon drejt dënimit sepse janë harxhuar 500-600 milionë euro për të justifikuar një investim jo vetëm financiar, por edhe moral dhe politik të Evropës, duke krijuar një precedent që sipas tij inkurajon Serbinë dhe Republikën Sërpska të mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan.
Për këtë arsye, Bimo kërkon veprim urgjent politik, përtej apelimit juridik. Ai përmend propozimin për të shqyrtuar të drejtën kushtetuese të presidentit të Kosovës për falje dhe bën thirrje për lobim në Uashington, duke theksuar se për sa kohë kjo gjykatë ka treguar që nuk është juridike, por tërësisht e ndikuar politikisht, SHBA duhet të shprehë dyshimet e saj ashtu siç ka bërë për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, ICC.
"Kemi të bëjmë me një vendim të një gjykate tërësisht të politizuar dhe trajtimi i mëtejshëm i problemit pa dyshim që meriton vëmendjen nga ana juridike, etapat dhe hapat që duhet të ndiqen për apelimin, por në radhë të parë duhet t'i kushtohet vëmendje e duhur politike.
Në këtë mënyrë të menduari më është përforcuar duke ndjekur sot pasdite një intervistë të zotit Paul Williams me Ledia Kostretën në Zërin e Amerikës, ku ai ngre disa probleme, ndër të cilat ka një shprehje që tërheq jashtëzakonisht shumë vëmendjen, ku ai thotë pse amerikanët ishin në favor të evropianëve dhe u bashkuan me evropianë për t'i bërë presion qeverisë së Kosovës për të pranuar gjykatën. Dhe ai thotë se kjo gjë u duhej amerikanëve, po e citoj fjalë për fjalë, në shkëmbim të koncesioneve të tjera të cilat Evropa mund të bënte për çështje më të mëdha, që do të thotë se çështja shqiptare në rajon është kthyer në plaçkë tregu për fuqitë e mëdha, siç ka qenë në vitin 1913, siç ka qenë gjatë gjithë historisë së popullit shqiptar.
Në këto kushte, vëmendje do të duhet juridike, patjetër e domosdoshme, por duhet jashtëzakonisht shumë edhe politike. Dhe përsëri i njëjti person, për të cilin unë kam një respekt të jashtëzakonshëm, jo vetëm për mënyrën se si ka dëshmuar në mbrojtje të katër zyrtarëve të lartë të UÇK-së, por edhe për shërbimet që i ka dhënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rajonit në gjithë karrierën e tij, ai thotë se i sugjeron qeverisë së Kosovës të ndërmarrë urgjentisht hapa për çbërjen e gjykatës dhe brenda mundësive, nëse shihet nga ana kushtetuese, nëse presidenti, presidentja, kushdo që të jetë i Kosovës, ka të drejtën e faljes, pra për të dalë nga ngërçi politik që është krijuar.
Sepse në vlerësimin e tij, dhe përderisa po e citoj, edhe timin, është krijuar një situatë jashtëzakonisht e rëndë për çështjet e sigurisë dhe të stabilitetit të Ballkanit, për të cilat Evropa, për të shlyer njollën e zezë të turpit që është krijuar në territorin e saj nga gjenocidi serb, mundohet të krijojë një ekuivalent moral duke fajësuar shqiptarët, në mënyrë që t'i drejtohet opinionit të vet të brendshëm dhe të thotë se çfarë mund të bëja unë me serbët kur fajin e kishin shqiptarët.
Pra, në narrativën evropiane kjo që ka ndodhur është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe për këtë gjë ka paralajmëruar edhe Andrew-i më 5 korrik të këtij viti kur thotë se gradualisht po fryhet një situatë ku, me dashje apo pa dashje, me vullnet apo pa vullnet, gjykata do t'i dënojë këta njerëz sepse janë harxhuar 500-600 milionë euro për të justifikuar një investim, jo vetëm paratë, por edhe një investim moral dhe politik të Evropës, e cila paralajmëron një destabilizim të mëtejshëm të Ballkanit duke inkurajuar serbët e Serbisë me në krye zotërinë që është sot president, por edhe ata që janë në Republikën Sërpska, për të thënë se ne mund të bëjmë çfarë të duam dhe në fund të ditës evropianët do të ngrenë një gjykatë e cila do të dënojë viktimat tona, nuk do të na dënojë ne.
Pra, precedenti është jashtëzakonisht i rrezikshëm jo vetëm nga ana juridike, por në radhë të parë nga ana politike. Dhe ajo që sugjerohet është që duhen ndërmarrë hapa të shpejtë, të jashtëzakonshëm politikë. Kush ka mundësi të ndikojë në administratën amerikane përmes lobimeve apo përmes influencave të caktuara? Sepse për sa kohë kjo gjykatë ka treguar që nuk është një gjykatë juridike, por është një gjykatë tërësisht e ndikuar politikisht, atëherë do të duhet që në këtë këndvështrim Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu sikurse kanë treguar që nuk kanë hezituar asnjëherë të shprehin dyshimet e tyre për paanshmërinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, ICC-së, ta bëjnë të njëjtën gjë edhe me këtë lloj gjykate.
Por në këndvështrimin e tërësisë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë angazhime kudo në botë, do të duhet që faktori shqiptar, ata që janë atje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo edhe shtetet shqiptare dhe kush ka mundësi, dhe besoj që ne kemi jashtëzakonisht shumë në dorë për të qenë faktor stabiliteti siç kemi qenë deri tani, por jo që të jemi plaçkë tregu siç po na trajton vendimi i kësaj gjykate." tha Bimo.
