Analisti Andi Bushati ka komentuar në “Çim Peka Live” vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar procesin si politik dhe të ndikuar nga interesa jashtë drejtësisë.
Sipas Bushatit, krijimi dhe funksionimi i kësaj gjykate duhet parë në një kontekst më të gjerë politik. Ai argumentoi se shoqëria shqiptare mund të kishte nevojë për një përballje me të kaluarën, përfshirë edhe pretendimet për krime të kryera nga shqiptarë, por sipas tij Gjykata Speciale nuk e realizoi këtë proces në mënyrën e duhur.
“Unë mendoj që këtë gjë ne duhet ta bënim. A ishte kjo gjykatë gjëja që e bëri? Këtu unë jam kundra”, tha Bushati, duke e përshkruar gjykatën si “të instrumentalizuar” dhe “politike”.
Ai u ndal më tej te mënyra se si u krijua gjykata dhe te përgjegjësia e institucioneve politike që e votuan. Bushati argumentoi se, pavarësisht formulimit të ligjit, drejtuesit politikë të Kosovës dhe aktorë të tjerë shqiptarë, sipas tij, e kishin kuptuar që procesi do të sillte pasoja për ish-komandantët e UÇK-së.
Në këtë pikë, analisti përmendi edhe qëndrimet e Hashim Thaçit në kohën kur u diskutua krijimi i gjykatës, si dhe rolin e Edi Ramës dhe aktorëve të tjerë politikë.
Sipas interpretimit të Bushatit, krijimi i Gjykatës Speciale ishte rezultat i një kompromisi ndërkombëtar dhe ai e lidhi këtë me interesa të Serbisë dhe Rusisë. Ai argumentoi se kundërshtimi ndaj kësaj gjykate, sipas tij, duhej të ishte artikuluar që në momentin e krijimit të saj.
Bushati kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si “servilizëm” ndaj aktorëve ndërkombëtarë, duke kundërshtuar argumentin se qëndrimet e ambasadorëve duhet të shërbejnë si bazë për pranimin e një vendimi politik.
Në përfundim, analisti tha se mënyra se si është zhvilluar procesi në Hagë, sipas tij, ka dëmtuar mundësinë për një debat më të gjerë brenda shoqërisë shqiptare mbi pretendimet për krime të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Debati në studio:
Bushati: Atëherë, pavarësisht se shoqëria shqiptare kishte nevojë për këtë lloj katarsisi edhe ndaj heronjve të vet çlirimtarë. Unë kam besuar se ka njerëz që kanë thënë, jo mo nuk duhet luftë, kush ka ikur i keqi e njohim e thatë, le të ikim ta mbyllim këtë kapitull. Unë mendoj që këtë gjë ne duhet ta bënim. A ishte kjo gjykatë gjëja që e bëri? Këtu unë jam kundra. Gjykatë e instrumentalizuar, gjykatë politike, gjykatë që u tregua nga mënyra si e mori Hashim Thaçin ditën që po shkonte për në Shtëpi të Bardhë e deri dje që u dha dënimi, një instrument politik. Por tani, unë besoj që këtu të biem të gjithë dakord që ky ishte instrument politik. Dhe nuk duhet të gjejmë segmente që, ja dhe ky për këtë është politik, ja çfarë tha dhe ky këtu, ja çfarë tha… Puna është të kuptojmë pse arritëm te ky instrument politik. Sepse kjo është një gjykatë që e kanë krijuar shqiptarët. Ata dje i dënuan komandantët në emër të popullit të Kosovës, e ka votuar parlamenti i Kosovës. Dhe këtu unë tund kokën ndaj Beratit. Se askush sot nuk mund të lajë duart dhe të thotë se nuk e dinim.
Buzhala: A se s’më dëgjova që përmende ligjin?
Bushati: Jo jo ligjin, ligjin, shkurt…
Buzhala: Një karrige… nuk mundesh me më thënë, nuk mundesh me i la duart kur ligji është ndryshe e akuzat ndryshe.
Bushati: Një sekondë, një sekondë. Ligji është i shkruar ashtu siç thua ti, ok, por që nga Hashim Thaçi i pari, që nga ne gazetarët, që nga Edi Rama që mori helikopterin, të gjithë e dinim që kishte arritur një pikë që duhet t’i bëhej koncesion Serbisë dhe Rusisë. Pra, vetë Hashim Thaçi në qoftë se e mbani mend, ajo beteja që ka qenë, pati tentativë në parlament për ta përmbysur gjykatën, se e dinte se çfarë e priste. Vetëvendosja, pak e parëndësishme në atë kohë, nuk është se nuk i dha argumentat. Fjalimi i Hashim Thaçit në parlament, pavarësisht se thoshte duhet ta votojmë, po ta dëgjosh të gjithë tekstin, teksti është që sa dëm i bën kjo gjë Kosovës. Pra të gjithë ishin të bindur, që pavarësisht si po shkruhej ligji dhe si justifikohej me Dick Martyn, këtu po i bëhej një koncesion… ne ja bënim amerikanëve dhe evropianëve, po amerikanët dhe evropianët po ja bënin Serbisë dhe Rusisë. Prandaj kësaj gjykate i duhej thënë që në gjenezë, jo. Atëherë, po po t’i thoje jo, mund të thotë dikush, bie kjo teoria jote që ka nevojë për katarsis… shoqëria duhet ta bëjë katarsisin. Unë them jo, se pikërisht ajo që ndodhi sot, dënimi i padrejtë dhe procesi surrogato ndaj atyre njerëzve, ka mbyllur njëherë e mirë kapitullin e një hapjes së debatit për krimet e shqiptarëve me shqiptarët, jo krimet me serbët, kjo mbyllet, askush nuk merr sot më guximin, thotë po krimet e shqiptarëve… shih sa u paguan ata të gjithë e të tjerë. Kjo është e keqja e parë. Dhe e keqja e dytë mendoj unë, për të cilën duhet ta vrasim mendjen shumë, është servilizmi dhe bythëlëpirja jonë ndaj ndërkombëtarëve. Berati e thotë, na thanë ambasadorët. E punë e madhe! Ambasadori mundet të bëjë trafik për t’i bërë, për të marrë një koncesion tjetër nga Rusia, Serbia, nuk është argument!












