Presidenti i Brazilit mesazh “të fortë” për Ancelottin: Talentet janë edhe në Brazil

Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, ka përcjellë një mesazh të qartë për trajnerin e kombëtares, Carlo Ancelotti, duke i kërkuar që të ketë më shumë në vëmendje futbollistët që aktivizohen në kampionatin vendas.
Gjatë një interviste në Brazilia, Lula kujtoi një këshillë që i kishte dhënë më herët teknikut italian dhe e vlerësoi faktin që Ancelotti ka përfshirë disa lojtarë të kampionatit brazilian në listën për ndeshjet miqësore ndaj Australisë.
“Ditët e kaluara i dhashë një këshillë Ancelottit dhe tani ai ka grumbulluar disa futbollistë që luajnë në kampionatin brazilian. Është një shenjë e mirë”, u shpreh Lula.
Më tej, presidenti brazilian sugjeroi që Ancelotti t’u japë më shumë mundësi lojtarëve të kampionatit vendas gjatë grumbullimeve të ardhshme.
“Nëse do të isha në vendin e tij, do të zgjidhja 22 futbollistët më të mirë për çdo rol në kampionatin brazilian dhe do t’i merrja në kombëtare gjatë datave të FIFA-s”, shtoi ai.
Lula ngriti gjithashtu si shqetësim faktin se në kombëtare shpesh preferohen lojtarë që aktivizohen jashtë Brazilit, madje edhe futbollistë që luajnë në nivele më të ulëta ose që kanë pak minuta me klubet e tyre në Evropë.




