Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Sopi pas verdiktit të Speciales: Marrina të tilla s’gjenden askund në botë, Evropë të tillë s’dua

4 o. më parë / 17 sht 2026 21:16
sopi

Analisti Agim Sopi ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale pas vendimit për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka theksuar se kjo gjykatë ka vepruar me dëshmi të  rreme e në prokurorinë serbe. 

Sopi ka thënë se asnjë gjykatë në botë nuk funksionon në këtë mënyrë.  

“Nuk ekziston asnjë gjurmë mbi pretendimet e ‘shtëpisë së verdhë’ dhe trafikimit të organeve. Këtu bie intenca e krijimit të Dhomave të Specializuara sepse janë krijuar mbi këtë pretendim dhe meqë ky ishte krejt i rremë, janë krijuar supozime të tjera, janë gjetur dëshmitarë të fabrikuar që edhe gjatë gjykimit kryeprokurori e tha se jemi mbështetur në dëshmitarë dhe prokurori serbe. Mbi këto pretendime janë sajuar dëshmitarë karikatura që dalin pa fije turpi dëshmojnë se si i ka torturuar UCK-ja me magji të zeza... marrina të tilla nuk i gjen askund në botë. Ky qenka morali i Evropës, kjo qenka Evropa demokratike që e kemi synuar. Unë Evropë të tillë nuk dua”, ka thënë ai në “Konfront”.

Deputeti i PD-së: Deklarata e Kuvendit të Shqipërisë për Hagën, e pamjaftueshme

4 o. më parë / 17 sht 2026 21:01
Tritan Shehu, deputet i Partisë Demokratike në Shqipëri

Tritan Shehu, deputet i Partisë Demokratike në Shqipëri, ka vlerësuar se deklarata e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u dënuan dje në Hagë, nuk është e mjaftueshme si akt nga Shqipëria.

Të enjten, Kuvendi i Shqipërisë ka dënuar vendimin e dhënë një ditë më parë nga Gjykata Speciale në Hagës, për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, duke i dënuar për krime lufte. Në një deklaratë të përbashkët, të lexuar nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ritheksohet qëndrimi se lufta e UÇK-së ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, duke kundërshtuar represionin, dhunën, përndjekjen dhe krimet e kryera nga regjimi i Sllovodan Millosheviçit. Nëpërmjet deklaratës, Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me një vendim që e konsideron thellësisht të padrejtë. Deputetët e Shqipërisë kanë kërkuar nga qeveria e këtij shteti e edhe nga ajo e Kosovës që të koordinohen për të korrigjuar verdiktin e publikuar një ditë më parë nga Gjykata Speciale.

Në një lidhje në “Konfront” të KTV-së, Shehu ka thënë se kjo deklaratë nuk ka fuqinë që do të mund të kishte një rezolutë për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.

Ai ka thënë se pavarësisht se e sheh deklaratën si pozitive, “ajo mbetet e pamjaftueshme”.

“Diçka tjetër është rezoluta dhe diçka tjetër deklarata. Rezoluta është detyruese që të ndiqet nga Qeveria sepse vjen nga parlamenti, është e gjerë dhe e fokusuar dhe bazuar në fakte. Rezoluta ka tjetër fuqi juridike”, ka thënë ai. “Hapi i sotëm që më në fund mazhoranca e pranoi që është e ngjashme dhe pak më e avancuar se deklarata e miratuar disa muaj më parë për liderët sa ishin të burgosur. Por s’e mbush boshllëkun e rezolutës për të njohur dhe dënuar gjenocidin në Kosovë dhe më pas me kërkesat e parlamentit për qeverinë. Është ende boshllëk që duhet mbushur. Keq që s’u fut edhe rezoluta”, ka thënë ai.

Vite më parë Kuvendi i Shqipërisë nuk pati miratuar një rezolutë që e njihte dhe dënonte gjenocidin serb në Kosovë, si dhe që parashihte të ndihmonte autoritetet e Kosovës në aktpadinë ndaj Serbisë në gjykatat ndërkombëtare.

Lidhur me këtë deklaratë të sotme, edhe analisti Agim Sopi ka thënë se ajo është bërë “sa për të shpërlarë ndërgjegjen”.

Koci pas vendimit të Speciales: Është çasti i fundit që partitë të unifikohen

4 o. më parë / 17 sht 2026 20:51
koci

Opinionisti Melazim Koci e ka quajtur skandaloz vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, ky vendim shqiptarët ose do t’i përçajë, ose do t’i unifikojë. 

Sipas tij, Kosova duhet sa më shpejt të dalë nga bllokada politike pasi siç ka thënë ai, rrezikohet jo vetëm “stabiliteti i brendshëm, por vetë qenia e Kosovës”. 

“Unë besoj në unitetin dhe unifikimin, është çasti i fundit që partitë politike dhe shoqëria kosovare të bashkohet rreth kësaj çështje në të gjitha rrafshet. Është çasti i fundit që të bashkohen, mund të jetë krijimi i një task-force i partive politike, krijimi i një qeverie me një bazë të gjerë, mund të jetë krijimi i një qeverie normale dhe zgjedhjes së presidentit, por Kosova nuk guxon të mbesë në këtë bllokadë, në të kundërtën rrezikojmë shumë.... Është hequr kualifikim për krime kundër njerëzimit, por kanë mbetur formulime shumë të renda që Serbia do t’i përdorë”, ka thënë ai. 

Specialja ka konstatuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ishin përgjegjës për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor ndaj 49 personave, torturë ndaj 303 personave dhe vrasje të paligjshme të 96 personave.

Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit pasi nuk u vërtetua dyshimi se kanë kryer sulme ndaj popullatës civile. Gjithashtu të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në lidhje me një numër incidentesh krime lufte.