Në një seancë maratonë e cila zgjati deri pas mesnatës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 84 vota pro formulën e re për pagat e magjistratëve.
"Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. 84 vota pro, 1 abstenim, 24 kundër."
Megjithatë ky votim mesa duket nuk ka për t'i dhënë fund përplasjes mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, pasi parashikon një rritje të pagës me rreth 8,500 lekë. Ndërkohë që magjistratët e kanë kundërshtuar këtë formulë më herët dhe se kërkesa e tyre e miratuar edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, është rreth nëntë herë më e lartë, afro 80 mijë lekë.
Në momentin e votimit, kryeministri Edi Rama ngriti kartonin jeshil, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha nuk ishte prezent. Gjatë debatit Rama u përplas ashpër me opozitën, e cila kishte paralajmëruar votën kundër projektligjit dhe e kishte cilësuar atë një “puç kushtetues”.
Kryeministri Rama solli dhe "nevojën urgjente" për një ligj të ri, duke argumentuar se pas reformës në drejtësi, pagat e magjistratëve u rritën në mënyrë “stratosferike” dhe se është krijuar një raport që sipas tij tashmë duhet rishikuar.
“Këtu është nevoja për të bërë një ligj të ri, për t’i dhënë fund kësaj historie, e cila e ka zanafillën e vet në atë moment kur, në bërjen e reformës, nuk u përcaktua koha se kur piramida do të balancohej. Nuk u tha qartë dhe nuk u tha troç që ju do të merrni këtë tani nga taksat e shqiptarëve, shumë më tepër se gjithë të tjerët, sepse reforma kërkon nga ju që të bëni një sforco, por ama kjo nuk do të jetë një rritje permanente. Sa herë të rriten të tjerët, do të rriteni edhe ju, sepse i bie pastaj, siç e thashë në fillim, do të krijonim shtetin e parë në botë. Dhe unë i sfidoj të gjithë të më sjellin, të paktën në 2 mijë vjetët e fundit, një sistem ku gjykatësit kanë qenë mbi të gjithë në aspektin e taksave. Nuk ndodh. Është nonsens”, tha Rama, teksa më tej bëri me dije se për hartimin e këtij ligji të ri kanë nisur konsultimet me Këshillin e Europës dhe Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë.
“Ne kemi filluar kontaktet me Këshillin e Europës, me atë Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë. Dhe unë i kam pritur të gjithë këta që i kishit ju në komisionin përkatës, sepse kërkuan takim dhe ne e organizuam takimin. E organizuam takimin sipas dëshirës dhe kushteve të tyre, në kuptimin për t’u dhënë të gjithë mundësinë që të flasin, të flasim dhe për t’u thënë që këtu ka një problem, të cilin do ta adresojmë së bashku. Ne nuk mund të shkojmë në një konflikt pushtetesh dhe ne jemi të gatshëm, jo të gatshëm, por jemi tërësisht të angazhuar që të bëjmë një ligj të ri. Ka një sërë mënyrash për ta bërë, por kjo historia që sa herë rritet një pagë në Republikë, duhet rritur një pagë atje, duhet të marrë fund. Kjo është absurde”, tha Rama.
Ndërkohë që gjatë fjalës së tij, kryeministri sfidoi dhe Gjyaktën Kushtetuese duke i treguar edhe vijën e kuqe. Kreu i qeverisë tha se ajo ka të drejtë të rrëzojë një ligj që bie ndesh me Kushtetutën, por nuk mund t’i diktojë Kuvendit formulën konkrete që duhet të miratojë.
“Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo mund ta ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është imi. Penalltinë do ta gjuaj unë”, tha Rama.
Çfarë u votua pas mesnatës në Kuvend:
-Projektligji “Për ratifikimin e Konventës për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën, bërë në Hagë, më 16.12.2025”- 102 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër
-Projektligji “Për ratifikimin e Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës”- 107 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër
-Projektligji “Për pranimin e vendimit DEC-I 1/119-VI/2024, të Këshillit të Anëtarëve të Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit, për ndryshimin e nenit 36 të Marrëveshjes Ndërkombëtare për Vajin e Ullirit dhe Ullinjtë e Tavolinës, 2015, aderuar me ligjin nr. 112/2017”- 107 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër
-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. 84 vota pro, 1 abstenim, 24 kundër
