
Në orët e para të mëngjesit socialistët miratuan me 84 vota formulën e re për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke i dhënë fund afatit të vendosur për caktimin e pagës referuese.
Sipas këtij projektligji të miratuar, magjistratët do të kenë një rritje të pagës referuese me 8500 lekë, ndërsa KLGJ e KLP kishin kërkuar një rritje nëntë herë më të lartë, rreth 80 mijë lekë.
Ndërsa opozita e konsideroi këtë votim të qeverisë “puç kushtetues”, kryeministri Edi Rama tha se qeveria ka nisur punën për një ligj të ri për të ribalancuar pagat. Sipas tij, rritja e pagave të gjyqtarëve ka prishur ekuilibrat me pjesën tjetër të administratës publike, ndërsa kundërshtoi kërkesën që pagat e prokurorëve e gjyqtarëve të rriten automatikisht kur rriten pagat e punonjësve të tjerë.
“Ne nuk mund të shkojmë në një konflikt pushtetesh dhe ne jemi të gatshëm, jo të gatshëm, por jemi tërësisht të angazhuar që të bëjmë një ligj të ri. Ka një sërë mënyrash për ta bërë, por kjo historia që sa herë rritet një pagë në Republikë, duhet rritur një pagë atje, duhet të marrë fund. Kjo është absurde.
Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo mund ta ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është imi. Penalltinë do ta gjuaj unë’. Të thuash që në atë datë lindi befas një pushtet tjetër, i cili përcaktoi atë që në fakt mund ta përcaktojë vetëm ligji, dhe nga ana tjetër të shohësh një ndërveprim shoqatash me trupën gjyqësore të Shqipërisë, të shohësh lëvizje të koordinuara, të shohësh këtë organizim është jashtëzakonisht shqetësuese. Të gjitha zhvillimet në këtë drejtim janë zhvillime që e dëmtojnë Republikën e Shqipërisë, nuk janë zhvillime që e ndihmojnë”- tha Rama. Versus.al

