SPAK heton ministrinë e Financave, drejtoresha e Thesarit merret në pyetje për çështjen e pagave

Merret në pyetje drejtoresha e Thesarit, Elmira Peto. Pas kallëzimit të krerëve të gjykatave, SPAK është vënë në lëvizje për të verifikuar të gjithë hapat që çuan në moslëvrimin e fondit të pagave.
E para që u mor në pyetje është shefja e thesarit. Procesi pritet të vijojë me zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Financave, numrin dy të këtij institucioni që u kallëzua në Prokurorinë e Posaçme.
Deri tani janë administruar vendimi i Gjykatës Kushtetuese, vendimet e KLP-së dhe KLGJ-së, shkresat e Prokurorisë së Përgjithshme për listëpagesat, listëpagesat e anuluara në Ministrinë e Financave, si edhe gjurmët elektronike të sistemit të thesarit.
Në këto kushte SPAK-u po zbaton një nga pikat që i është sugjeruar në kallëzimin penal të datës 8 shtator, duke nisur me marrjen në pyetje të personave që kanë urdhëruar dhe vendosur që këto fonde të mos lëvrohen.
Procedimi penal mban numrin 100 dhe është regjistruar për tri vepra penale, shpërdorim detyre, pengim të ekzekutimit të vendimeve penale dhe mosekzekutim për shkaqe të papërligjur të vendimeve penale.




