“Liri për çlirimtarët”, ish-luftëtarët e UÇK-së mbërrijnë në Durrës dy ditë pas vendimit të Hagës, apel për vetëpërmbajtje

Rreth 50 ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbërritën mëngjesin e kësaj të premteje në portin e Durrësit.
Ata kishin qëndruar prej disa ditësh në Hagë, që nga 12 shtatori, ku kishin shkuar për të pritur vendimin e Gjykatës Speciale për katër ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Me flamujt kombëtarë dhe simbolet e UÇK-së, ish-luftëtarët përcollën nga porti i Durrësit mesazhin e tyre të mbështetjes për ish-komandantët.
“O Hashim, ti ku je, UÇK-në këtu e ke”, ishte një prej thirrjeve të tyre.
Por, krahas mbështetjes, ata bënë edhe apel për vetëpërmbajtje pas vendimit të Gjykatës Speciale. Kreu i grupit, Ismail Selmani, i njohur ndryshe si komandant Mala, tha se vendimi i Gjykatës Speciale, sipas tij, nuk dënoi krimet e kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës, por luftën guerrile të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi. Reagimi i rreth 50 ish-luftëtarëve në Durrës vjen pas protestave dhe reagimeve të shumta të zhvilluara gjatë këtyre ditëve në Kosovë dhe Shqipëri.
/vizionplus.tv




