
Një automjet është përfshirë nga flakët paraditen e sotme në hyrjen e parkimit nëntokësor në qendër të Fierit. Ngjarja ka shkaktuar panik dhe shqetësim te qytetarët, pasi nga automjeti është përhapur një sasi e madhe tymi, duke mbuluar edhe pjesën e hyrjes së parkimit. Situata ka krijuar frikë për një përhapje të mundshme të zjarrit në ambientet nentokesore. Pas njoftimit për ngjarjen, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë, ndërsa dy automjete zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të vënë nën kontroll flakët.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka nisur në pjesën e motorit të automjetit. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me shpejtësi duke bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe shmangien e përhapjes së zjarrit në pjesën tjetër të parkimit. Nuk raportohen për persona të lënduar nga të dhënat paraprake. Policia dhe shërbimet përkatëse ndodhen në vendngjarje, ndërsa pritet të përcaktohen rrethanat dhe shkaku i saktë që solli përfshirjen e automjetit nga flakët.