Çfarë do të gjeni në brendësi
*Mijëra shqiptarë protestuan sot në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë kundër vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës për 4 liderët e UÇK-së të cilët u dënuan me 81 vite burg në total për krime lufte. *Në protestë morën pjesë edhe krerë të forcave politike opozitare të cilët u shprehën të gatshëm për çdo nismë që mund të ndërmerret për t'u ardhur në ndihmë liderëve të UÇK. *Djemtë e katërshes së dënuar thanë se nuk duhej të dorëzoheshin dhe se të gjitha partitë poltiike duhet të ishin të bashkuara për këtë kauzë.
I ati u dënua me 18 vite burg, djali i Kadri Veselit: Nuk e kemi humbur besimin tek drejtësia e Perëndimit

Klestor Veseli, djali i Kadri Veselit, foli për mediat pas përfundimit të protestës në Prishtinë, e cila u mbajt në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. I riu tha se familjet e liderëve të UÇK-së nuk e kanë humbur besimin tek drejtësia e botës perëndimore.
“Nuk e kemi humbur besimin te bota perëndimore, tek drejtësia e tyre. Ne vetëm po kërkojmë korrigjim të një gabimi që ka qenë i zhytur në politikë. Faleminderit edhe juve që po i kushtoni vëmendje kësaj pune”, tha Veseli i cili u pa mes protestuesve, por nuk mori fjalën në podiumin e vendosur. Versus.al
"Nuk duhet të dorëzohemi", djali i Jakup Krasniqit: Vendimi i Hagës prek sakrificën e çdo dëshmori

Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit i cili u dënua me 25 vite burg, foli para qytetarëve në protestën e sotme në sheshin "Skënderbeu" ku bëri thirrje që askush të mos dorëzohej.
Ai tha se vendimi i Hagës prek sakrificën e bërë nga dëshmorët dhe veteranët, ndërsa u kërkoi partive politike të bëheshin bashkë në këtë kauzë.
“Sot jam jo vetëm si biri i njeriut që po i bëhet padrejtësi, por si biri i këtij populli. Ajo që ndodhi në Hagë, prek sakrificën e çdo dëshmori, çdo veterani, çdo të zhdukuri familjet e të cilëve ende e kërkojnë. Sot nuk duhet të dorëzohemi sepse nëse ne dorëzohemi do të na gjykojë jo vetëm historia por edhe e ardhmja. Për 6 vjet kemi kërkuar drejtësi dhe do vazhdojmë të kërkojmë drejtësi. Sot i bëjmë thirrje edhe të gjithë partive politike të lëmë anash të gjitha dallimet dhe le të bëhemi bashkë”, tha Altin Krasniqi. Versus.al
Sot protestë në Prishtinë kundër dënimit të liderëve të UÇK, shfaqet edhe Ramush Haradinaj

Sot në orën 12:00 shqiptarët e Kosovës kanë paralajmëruar një protestë kombëtare në sheshin "Skënderbej" në Prishtinë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin me 81 vite burg të 4 liderëve të UÇK.
Ndërsa numri i protestuesve po shtohet me flamuj kombëtarë e pankarta në duar, në shesh mbërriti edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj së bashku me deputetët e partisë AAK.
Ai më herët u kishte bërë thirrje qytetarëve për të shmangur trazirat. Versus.al

