Gjykata e Tiranës vendosi vijimin e masës “arrest në burg” për Eno Agasin, i akuzuar se zhduku nga shpëia e kushërirt të rij Ergys Agashi koleksionin e verave të shtrenjta me vlerë 950 mijë euro.

Po ashtu, togat e zeza pranuan kërkesën e prokurorisë për t’ia kaluar dosjen për kompetencë SPAK-ut. Agasi ka heshtur gjatë seancës për masën e sigurisë, ndërsa avokatët e tij e kundërshtuan kalimin e çështjes në Prokurorinë e Posaçme. Kërkesa u refuzua nga gjyqtari Dritan Hallunaj.

Eno Agasi ishte shpallur prej disa muajsh në kërkim për zhdukjen e koleksionit të verës që SPAK e kishte sekuestruar në shtëpinë e Ergys Agasit, në kuadër të hetimeve dhe kontrolleve për dosjen e AKSHI-t. Ndaj tij rëndon akuza për “Vjedhje” dhe “Pengim i zbulimit të së vërtetës”.

Njoftimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm 

Mbi interesimin publik të shfaqur, komunikojmë në mënyrë zyrtare informacionin si vijon më poshtë: Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sot më datë 18.09.2026, mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaj personit nën hetim E.A., me objekt: “Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit Proçedurës Penale, marrë me vendimin nr. 3478 akti dt. 19.12.2025”, “Caktim mase sigurimi personal, “Shpallje moskompetence”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vjedhja” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” parashikuar nga Nenet 134/3 dhe 301 i Kodit Penal. Gjykata, në përfundim të gjykimit të çështjes, pas shqyrtimit të provave të paraqitura, në mbështetje  të neneve 248/2, 238 dhe 85 të Kodit Proçedurës Penale: 

Vendosi

1-Vazhdimin e masës së sigurimit personal atë të “Arrestit në burg” parashikuar nga Neni 238 i Kodit Proçedurës Penale ndaj personit nën hetim E. . A. marrë me vendimin nr. 3478 Akti dt. 19.12.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. -Urdhërohet policia gjyqësore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë si edhe forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi. 2-Shpalljen e moskopetencës lëndore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke ia kaluar aktet e këtij proçedimi penal, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), si gjykatë kompetente. 

-Kundër vendimit lejohet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë sot më dt.18 Shtator 2026. 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë