Sa më shumë afrohet koha për zgjedhjet lokale, aq më shumë bashkitë e drejtuara nga Partia Socialiste ndez motorët e “asfaltit elektoral”.
Bashkia e Sarandës ka shpallur së fundi plot 12 procedura, me vlerë totale rreth 8 milionë euro, për riparime rrugësh, fasada e ndriçim.
Të dhënat zyrtare tregojnë se këto procedura janë njoftuar në një ditë të vetme, në datën 17 Shtator 2026.
Nga moria e rrugëve të përfshira në rehabilitim, asfaltin e ndriçim, duket se kryebashkiaku Oltion Çaçi ka vendosur të ndërhyjë në infrastrukturën publike vetëm në vitin e fundit të mandatit të tij.
Pjesa më e madhe e procedurave tenderuese me vlerë miliona euro përfaqësohet nga dy fjalë-kyçe: rikonstruksion dhe rehabilitim të akseve rrugore të qytetit.
Në terma më të thjeshtë bëhet fjalë për ndërhyrjen me shtresa të reja asfaltike, të cilat duken bukur përkohësisht, të paktën deri në ditën e zgjedhjeve.
Skema e “asfaltit elektoral” është kritikuar në vazhdimësi nga misionet ndërkombëtare të monitorimit të proceseve zgjedhore në Shqipëri.
Në raportin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, ekspertët e OSBE-ODIHR-it dokumentuan raste të shumta, ku fondet e bashkive ose investimet e qeverisë qendrore në infrastrukturë intensifikohen artificialisht përpara datës së zgjedhjeve. Megjithatë, këto gjetje problematike nuk e kanë ndaluar maxhorancën socialiste.
Madje, për zgjedhjet lokale të vitit 2027, konstatohet një rritje e ndjeshme e shpenzimeve publike për “asfaltin elektoral”.
Ajo që po ndodh tashmë në Bashkinë e Sarandës, është konstatuar më herët edhe në njësi të tjera lokale, përfshirë Krujën, Dibrën, Lezhën, e në qytete të tjera.
“Syri Televizion” ka bërë një përllogaritje më herët dhe parashikohet që fondet për “asfalt elektoral” të arrijnë më së paku shifrën 100 milionë euro.
© SYRI.net
U votua gjatë natës dhe u dekretua në mëngjes nga presidenti, botohet në Fletoren Zyrtare formula e pagave të magjistratëve
Vendimi në Hagë dhe retë e zeza mbi Pavarësinë e Kosovës!
Gazeta spanjolle: Thellohet skandali i AKSHI-t të Ramës, një i arrestuar kishte kështjellë, një shef policie i mbronte