Sport

Arbër Hoxha drejt një aventure të re jashtë Evropës

Arbër Hoxha është pranë largimit nga Dinamo Zagreb, me sulmuesin anësor shqiptar që pritet të vazhdojë karrierën në Emiratet e Bashkuara Arabe te Al Wahda.

Marrëveshja mes klubeve është arritur për një shumë prej 2.5 milionë eurosh, ndërsa Dinamo do të përfitojë gjithashtu bonuse të mundshme dhe do të mbajë 10 për qind të të drejtave nga një transferim i ardhshëm i futbollistit. Lëvizja pritet të zyrtarizohet së shpejti, raportojnë mediat kroate.

Transferimi merr një tjetër nuancë për faktin se Hoxha ishte titullar për Dinamo-n vetëm dy ditë më parë, në ndeshjen ndaj Hapoel Be’er Sheva. Megjithatë, tashmë 27-vjeçari është shumë pranë mbylljes së aventurës së tij në Zagreb.

Hoxha iu bashkua Dinamo-s në janar të vitit 2024, kur klubi kroat e bleu nga Slaven Belupo për rreth 1 milion euro. Gjatë periudhës së tij në Zagreb, ai ka regjistruar 117 paraqitje, 14 gola dhe 15 asistime, duke qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës.

Transferimi do ta çojë Hoxhën në një kampionat ku po rritet gjithnjë e më shumë prania e futbollistëve shqiptarë. Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Kristjan Asllani, luan për Al-Jazira, klub që së fundmi është lidhur edhe me një transferim të mundshëm të Edon Zhegrovës.

Në Emirate luajnë gjithashtu edhe dy futbollistë të tjerë shqiptarë. Rejan Alivoda, ish-lojtar i Vllaznisë, është pjesë e Kalba FC, ndërsa Regi Lushkja, ish-futbollist i Egnatias, Tiranës, Laçit dhe Besës, luan për Al-Dhafra.

Kështu, nëse transferimi i Hoxhës te Al Wahda zyrtarizohet, ai do t’i bashkohet një grupi gjithnjë e më të madh futbollistësh shqiptarë që kanë zgjedhur kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe si destinacionin e tyre të radhës.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.