Çmimi i naftës ra këtë të premte në tregjet ndërkombëtare, ku një fuçi naftë Brent po tregtohet rreth 102 dollarë, një ndër nivelet më të ulëta të regjistruara gjatë tre javëve të fundit.
Në fillim të kësaj jave, çmimi i një fuçie naftë në bursa kaloi mbi 110 dollarë, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të karburanteve në shumë vende të botës. Shkak për shtrenjtimin ishte përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme dhe shqetësimet për furnizimet globale me naftë.
Sipas mediave të huja, rënia e çmimeve gjatë ditëve të fundit erdhi pasi tregjet i zbutën shqetësimet lidhur me kërcënimet e reja ndaj furnizimeve. Kjo ndodhi pavarësisht se Arabia Saudite dhe Houthitët e Jemenit, të mbështetur nga Irani, shkëmbyen sulme të reja përtej kufirit të tyre të enjten, duke zgjeruar më tej frontin e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Frika për eksportet saudite të naftës u shtua pasi Houthitët e Jemenit sulmuan tubacionin Lindje-Perëndim, i cili transporton naftën saudite drejt Detit të Kuq dhe më pas drejt tregjeve globale.
Sipas analistit të PVM Oil Associates, Tamas Varga, shqetësimet e menjëhershme për një ngushtim të furnizimeve janë lehtësuar nga disa faktorë. Mes tyre janë rritja e ngarkimit të naftës bruto nga Arabia Saudite përmes Omanit, shtimi i inventarëve të produkteve të naftës në SHBA, Singapor dhe Evropë, si dhe rritja e eksporteve të karburanteve nga Kina.
“Ndërsa nxjerrja e vazhdueshme e fitimeve para fundjavës nuk mund të përjashtohet, perspektiva aktuale themelore nuk do të justifikonte një rënie të zgjatur nën 100 dollarë (për fuçi) të naftës Brent”, shtoi Varga.
