Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo ka marrë zyrtarisht detyrën këtë të premte, pasi është betuar me dorën mbi Kushtetutë, në zyrën e Presidentit Bajram Begaj. Ai është pritur nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe ish-ministri, Besfort Lamallari.
Koçiu thekson se me drejtuesin e ri, nis një kapitull i ri në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por me të njëjtin vizion dhe angazhim për një Shqipëri më të sigurt, më moderne dhe më europiane.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, shprehet besimplotë se eksperienca e Ervin Demo do të jetë një vlerë e shtuar për të çuar përpara punët dhe reformat, për të rritur sigurinë, garantuar rendin dhe ofruar shërbime më të mira, që u përgjigjen nevojave dhe pritshmërive të qytetarëve.
Një javë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte vendosur të bënte një ndryshim në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, duke ia besuar Ervin Demos, i cili deri më 11 Shtator drejtonte dikasterin e Pushtetit Vendor. Kjo ministri u bashkua me Punët e Brendshme.
Kurse Besfort Lamallari, ministri i liruar, do të punojë pranë kryeministrit Edi Rama në Kryeministri, siç deklaroi vetë kreu i qeverisë shqiptare.
"Me Ervinin dhe Besfortin, për të nisur një kapitull të ri në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por me të njëjtin vizion dhe angazhim për një Shqipëri më të sigurt, më moderne dhe më europiane.
Besimplotë se eksperienca e Ervin Demo do të jetë një vlerë e shtuar për të çuar përpara punët e mira dhe reformat, për të rritur sigurinë, garantuar rendin dhe ofruar shërbime më të mira, që u përgjigjen nevojave dhe pritshmërive të qytetarëve", shkruan zv.kryeministrja.

