Një foshnjë 5-muajshe ka ndërruar jetë në Greqi, pasi u dërgua në një qendër shëndetësore pa ndjenja, e mavijosur dhe pa shenja frymëmarrjeje. Për ngjarjen janë arrestuar dy prindërit shqiptarë të fëmijës, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes.
Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës në ishullin e Parosit. Foshnja u dërgua në qendrën shëndetësore në gjendje të rëndë, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, u shpall e vdekur.
Nëna 37-vjeçare dhe babai 43-vjeçar janë arrestuar nga autoritetet dhe janë dërguar në Stacionin e Policisë së Parosit. Ndaj rastit është ngritur një çështje penale, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Sipas informacioneve paraprake, familja, e cila ka edhe tre fëmijë të tjerë më të mëdhenj, kishte shkuar në det në orët e para të mëngjesit. Më pas ata ishin kthyer në banesë rreth mesditës, ndërsa foshnja humbi jetën pasditen e së njëjtës ditë.
Autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë që foshnja të ketë pësuar goditje nga nxehtësia, por kjo mbetet një pistë hetimore dhe nuk është konfirmuar si shkak i vdekjes.
Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të japë të dhëna më të qarta mbi rrethanat dhe shkakun e vdekjes së foshnjës, ndërsa hetimet për përgjegjësinë e mundshme të prindërve vijojnë.

