Rasti i nënë Lilianës nga Elbasani u denoncua prej disa ditësh në rrjetet sociale. Gruaja e moshuar kishte një plagë të shkaktuar nga një sëmundje në syrin e majtë, teksa tashmë do të marrë trajtim në Spitalin Onkologjik në QSUT.
Lajmin e ka dhënë vetë ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila, në një postim në rrjetet sociale, shkruan se gjatë periudhës së trajtimit, e moshuara do të qëndrojë në spital, sipas vlerësimit dhe planit të përcaktuar nga mjekët.
Ndërsa më tej, ministrja thekson në postimin e saj se asnjë pacient nuk duhet të mbetet pa kujdes për shkak të pamundësive ekonomike apo sociale.
Postimi i plotë:
Nënë Liliana, prej ditës së sotme, po trajtohet në Spitalin Onkologjik, në QSUT, pa qenë nevoja të udhëtojë vajtje-ardhje nga Elbasani në Tiranë gjatë periudhës së trajtimit.
Pas rastit të publikuar në media, Shërbimi Social Shtetëror dhe QSUT janë koordinuar, duke bërë të mundur transportin dhe hospitalizimin në Spitalin Onkologjik, ku Liliana do të qëndrojë për të kryer trajtimin e nevojshëm, sipas vlerësimit dhe planit të përcaktuar nga mjekët.
Asnjë pacient nuk duhet të mbetet pa kujdes për shkak të pamundësive ekonomike apo sociale. Rasti është tashmë në ndjekje dhe kujdesi për pacienten do të vijojë përgjatë gjithë trajtimit të saj.
