Një specie e re e maces së egër është identifikuar zyrtarisht në pyjet malore të Yungas, në Bolivi, duke shënuar zbulimin e parë të një specieje të re të gjallë të familjes së maceve të përshkruar nga shkenca në më shumë se 100 vjet.
Kafsha, e pagëzuar me emrin shkencor Leopardus tilcayo, njihet prej kohësh nga komunitetet lokale me emrin “tilcayo”. Ajo është më e vogël se një mace e zakonshme shtëpiake. Një prej individëve të studiuar ishte rreth 46 centimetra i gjatë dhe peshonte afërsisht 1.4 kilogramë.
Tilcayo ka qime në ngjyrë kafe të çelët, të shoqëruara me njolla të errëta dhe të parregullta në formë rozete. Megjithatë, ngjashmëria e madhe me lloje të tjera të maceve tigër ka bërë që për një kohë të gjatë të mos dallohej si një specie më vete.
Zbulimi u bë i mundur përmes analizave gjenetike të 38 maceve të gjinisë Leopardus, ku përfshiheshin edhe ekzemplarë të ruajtur në muze. Analizat treguan se grupi që shkencëtarët e kishin konsideruar prej vitesh si një popullatë e vetme “macesh tigër” përbëhet në fakt nga pesë specie gjenetikisht të dallueshme.
Sipas analizës evolucionare, linja e Leopardus tilcayo është ndarë nga linjat e tjera të maceve tigër rreth 1.4 milionë vjet më parë. Për shkak të ngjashmërisë së madhe në pamje me speciet e tjera, tilcayo klasifikohet si një specie “kriptike”, pra një kafshë që është veçanërisht e vështirë të identifikohet vetëm përmes tipareve të jashtme.

Historia e identifikimit të saj lidhet edhe me një individ që ndodhet aktualisht në Senda Verde Animal Refuge, në Bolivi. Sipas “National Geographic”, në vitin 2016 një familje lokale gjeti një këlysh pranë një rruge dhe e mori në shtëpi, duke menduar se bëhej fjalë për një mace shtëpiake.
Më vonë, kafsha u dërgua në qendrën e strehimit, ku tërhoqi vëmendjen e studiuesve. Disa nga karakteristikat e saj nuk përputheshin plotësisht me përshkrimet e maceve tigër të njohura deri në atë kohë.
Shkencëtarët kanë ende shumë pak informacion për mënyrën e jetesës së kësaj specieje. Deri tani janë analizuar vetëm dy individë të gjallë, ndërsa të dhëna të tjera janë mbledhur përmes kamerave të vendosura në habitatin e tyre.
Vëzhgimet e para sugjerojnë se tilcayo mund të jetë kryesisht aktiv gjatë natës. Analizat e materialit fekal kanë zbuluar gjithashtu mbetje brejtësish, çka tregon se këta të fundit mund të përbëjnë një pjesë të rëndësishme të dietës së saj.
Studimi identifikoi njëkohësisht edhe një nënlloj të ri të maces tigër në Yungas të Perusë, të cilin studiuesit e kanë emërtuar Leopardus tigrinus antisuyo. Emërtimi i referohet Antisuyos, një prej rajoneve të Perandorisë së lashtë Inka.
Zbulimi i tilcayo-s ka rëndësi të veçantë edhe për mbrojtjen e biodiversitetit. Pyjet e Yungas përballen me presione të vazhdueshme nga shpyllëzimi, zgjerimi i aktiviteteve bujqësore, zjarret dhe aktiviteti minerar.
Klasifikimi i Leopardus tilcayo si një specie më vete do t’u mundësojë studiuesve të vlerësojnë veçmas përhapjen, madhësinë e popullatës dhe rrezikun e zhdukjes së saj. Të dhënat e reja pritet të merren në konsideratë edhe gjatë vlerësimeve të ardhshme të statusit të ruajtjes nga International Union for Conservation of Nature (IUCN).
Studiuesit theksojnë se rasti i tilcayo-s tregon se edhe në grupe kafshësh të studiuara prej kohësh mund të fshihen specie që ende nuk janë identifikuar nga shkenca.
Studimi është publikuar në revistën shkencore Current Biology.
New cat alert! A call from a wildlife sanctuary about a "weird cat" has led to the first new cat species discovered in over 100 years in Bolivia’s Yungas forest ecoregion. Learn more about this feline surprise: https://t.co/crffXvPqH4 https://t.co/USo7rI3Y5q
— National Geographic (@NatGeo) September 17, 2026

