‘Ka dalë jashtë objektit të saj’, Nesho: Gjykata e Hagës goditi simbolin e UÇK në funksion të qëllimeve gjeopolitike

‘Ka dalë jashtë objektit të saj’, Nesho: Gjykata e Hagës goditi simbolin e UÇK në funksion të qëllimeve gjeopolitike

18:32, 18/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një ngjarje shokuese ka tronditur opinionin publik me përballjen në Hagë të katër figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Kjo lëvizje e Dhomave të Specializuara nuk shihet thjesht si një proces drejtësie individuale, por si një goditje direkte ndaj simbolit të luftës çlirimtare të Kosovës.

Sipas diplomatit Agim Nesho që ishte i ftuar në “Syri Digjital” në Syri tvm, ky tribunal po funksionon si një mjet gjeopolitik. Qëllimi duket të jetë ruajtja e balancave në rajon, duke u përpjekur të mbajë nacionalizmin serb pranë Perëndimit dhe Bashkimit Evropian, fatkeqësisht në kurriz të Kosovës. Kjo gjykatë po konsiderohet si një "drejtësi për të humburit", e cila po përpiqet të përmbushë ambiciet e vazhdueshme të nacionalizmit serb.

Në këtë proces vihen re absurditete të rënda historike dhe juridike. Së pari, gjykata ka dalë jashtë objektit të saj fillestar, i cili u nxit nga presioni serbo-rus mbi pretendimet për trafik organesh, ndërkohë që sot procesi merret me dëshmitarë të dëshpëruar dhe paraburgime të stërzgjatura.

Kjo goditje pritet t'i shërbejë drejtpërdrejt politikës së Beogradit. Vlerësohet se udhëheqja serbe do ta përdorë këtë situatë për të barazuar veprimtarinë gjenocidale të Sllobodan Millosheviçit me luftën çlirimtare të UÇK-së. Ekziston rreziku real që diplomacia serbe ta shfrytëzojë këtë moment për të rikthyer çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke shfrytëzuar alibinë e radhës për të pretenduar shkëputjen e veriut të Kosovës.

Bled Marku: Atëherë po nisim menjëherë bisedën pasi kjo javë, kjo javë në fakt ka qenë disi shokuese. Katër ish-komandantë të UÇK-së, bëhet fjalë për zotin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, janë dënuar në Hagë. Unë dua të pyes, ky dënim i katër ish-komandantëve, sa e bën pis Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila luftoi për çlirimin e pjesës tjetër të Shqipërisë?

Agim Nesho: Pyetja juaj është shumë e drejtë sepse është një ngjarje vërtet e trishtueshme që i ka ndodhur kombit tonë. Për arsye sepse janë katër komandantët kryesorë me poste të mëvonshme edhe në qeveritë e Kosovës, të cilët simbolizojnë, pra, Gjykata e Hagës e Dhomave të Specializuara goditi simbolin, sesa pretendimet e saj, sepse ishte një gjykatë që merrej në mënyrë individuale me krimet që kishin kryer njerëz të caktuar.

Dua të them, zoti Marku, që edhe analistët e huaj, vetë autorët që kanë shkruajtur për Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e quajnë këtë gjykatë një gjykatë që është në funksion të qëllimeve gjeopolitike, edhe të Perëndimit në këtë rast, për të arritur ato balanca dhe stabilitete në rajonin tonë. Vetë autorja e librit për ish-dënimin e Millosheviçit thoshte: kemi kaluar nga gjykatat çlirimtare që u jepnin të drejtë fituesve, siç ishte Gjykata e Nurembergut, në gjykatat që respektonin standardet e arritura nga shoqëria njerëzore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që ishte Gjykata për ish-Jugosllavinë ndërkombëtare e Hagës, ku gjykoheshin të tërë dhe kalonin, e përcaktonte këtë lloj gjykate të Dhomave të Specializuara kundër katër anëtarëve si një gjykatë e dhënë për të humburit. Domethënë një përpjekje e sforcuar për të dhënë një të ashtuquajtur drejtësi për të plotësuar ambiciet nacionaliste të vazhdueshme të nacionalizmit serb. Dhe për këtë, në qoftë se më lejon zoti Marku, dua të them tre argumente të cilat lidhen me këtë gjë. E para, kjo gjykatë del jashtë objektit që është krijuar. Është krijuar nga presioni serbo-rus për të krijuar dhe ndëshkuar udhëheqësit e luftës nacional çlirimtare të UÇK-së, duke pretenduar që kanë bërë transplante të organeve, ka sensibilizuar botën perëndimore dhe presioni i botës perëndimore që vetë politika e Kosovës të pastrohej nga kjo gjë. Ku vajti, ku arriti? Në fund gjykata u mor me përgjimet e njerëzve të dëshpëruar, duke përfshirë këta dhe ish-presidentin gjashtë vjet në paraburgim, duke paragjykuar që ka intimiduar apo jo dëshmitarët e ngjarjes, në një bisedë që është në kushtet e një presioni, por nuk mund të jetë për faktin ose objektin që kjo gjykatë është krijuar.

Së dyti, që është më e rëndësishmja. Për krimet në ish-Jugosllavi, për krimet kundër njerëzve dhe shoqërisë që janë bërë, kanë marrë më pak dënime në vite serbët sesa kosovarët të cilët kanë qenë viktima.

Bled Marku: Serbia sulmoi Kosovën zoti Nesho. Serbia sulmoi Kosovën, tentoi të bëjë gjenocid, ka vrarë një numër të konsiderueshëm banorësh shqiptarë atje, dhe janë dënuar kosovarët.

Agim Nesho: Pikërisht ky është absurditeti i dytë që tregon që nuk është gjykatë e fakteve, por është një gjykatë që kërkon të arrijë diçka, domethënë një gjykatë e politizuar brenda interesave pragmatiste të shoqërisë, duke përfshirë edhe shoqërinë perëndimore, për të mbajtur nacionalizmin serb si pjesë e bashkësisë perëndimore dhe Bashkimit Evropian. Por është diçka që bëhet në dëm të Kosovës, një padrejtësi, dua të them, historike. Për arsye sepse vetë populli kosovar nuk mbron individët, kushdo qofshin ata, përpara krimeve që mund të kenë kryer dhe çdo njeri mbahet përgjegjës për to, ne nuk shfajësojmë asnjëri. Por kur goditet simboli i kësaj lufte, është shumë e rëndë dhe prandaj ka një reagim të tillë. Dhe në përgjigje të pyetjes tuaj direkte dua të them diçka tepër të rëndësishme.

Kjo do t'ju shërbejë nacionalistëve serbë gjithmonë për të njësuar veprimtarinë kriminale të Vuçiçit me ata që kanë bërë të mundur çlirimin e Kosovës. Duke i barazuar këto për të treguar dhe justifikuar që vetë ushtria kriminale vrasëse e ish-Sllobodan Millosheviçit ka hyrë në Kosovë për arsye se ata janë një organizatë kriminale që vrisnin njerëzit e tyre ose etnitë e tjera. Pra, do të ketë një impakt, sidomos në presionin dhe diplomacinë që do të bëjë Serbia duke u bazuar në këtë fakt, për të rikthyer çështjen e Kosovës mundësisht në Kombet e Bashkuara, në Këshillin e Sigurimit, për të treguar që ato padrejtësi që deri tani perëndimi pretendonte, në fakt janë një realitet i kundërt që ka ekzistuar nga të dy palët, prandaj kërkohet edhe një zgjidhje më e drejtë ku serbët mundësisht të marrin atë veriun e Kosovës dhe të tjera.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco