AKTUALITET /

Apeli i GJKKO-së rihap hetim pasuror për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka

Vendimi është marrë më 16 shtator, pas kërkesës së prokurorit Dritan Prençi për të verifikuar vlerën e pasurive të Kokës që kërkohen për konfiskim.

Shkruar nga Versus

Apeli i GJKKO-së rihap hetim pasuror për ish-ministrin e Mjedisit

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të rihapë pjesërisht shqyrtimin gjyqësor për dosjen e inceneratorit të Fierit, duke pranuar me shumicë votash kërkesën e SPAK për kryerjen e një ekspertimi të ri mbi pasurinë e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

Vendimi është marrë më 16 shtator, pas kërkesës së prokurorit Dritan Prençi për të verifikuar vlerën e pasurive të Kokës që kërkohen për konfiskim.

SPAK ka pretenduar se vlera e korrupsionit e përcaktuar nga ekspertët gjatë procesit në Shkallën e Parë është më e lartë se ajo e pranuar nga gjykata.

Për ekspertizën e re, Apeli ka vendosur të administrojë edhe aktet që lidhen me dosjet e inceneratorëve të Elbasanit dhe Tiranës.

Ndërkohë, trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën tjetër të SPAK për rihapjen e pjesshme të hetimit gjyqësor dhe marrjen e provave shtesë. Kryesuesja e trupit gjykues, Tereza Merkaj, ka argumentuar se çështja mund të shqyrtohet mbi bazën e provave që ndodhen tashmë në dosje.

Kërkesa ishte kundërshtuar nga mbrojtja, e cila ka pretenduar se provat e kërkuara janë administruar më herët në Shkallën e Parë.

Seanca e radhës do të zhvillohet më 23 shtator, në orën 09:30, kur gjykata pritet të përcaktojë ekspertët që do të kryejnë vlerësimin e ri.

Dosja e inceneratorit të Fierit ka 15 të pandehur, ndërsa 12 prej tyre u shpallën fajtorë nga Shkalla e Parë në vitin 2023. Çështja është pjesë e hetimeve për koncesionet e inceneratorëve të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, ku ndër të akuzuarit janë Lefter Koka dhe Alqi Bllako./Versus.al

Poll