
Bashkimi Evropian i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti e cilësoi vendimin si “padrejtësi”, ndërsa Rama e konsideroi atë “marre”. Në reagimin e tij, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Christian Wigand, theksoi se Dhomat e Specializuara të Kosovës zhvillojnë procedura të pavarura dhe të paanshme.
“Bashkimi Evropian merr shënim aktgjykimin e shkallës së parë në çështjen e Prokurorisë së Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit”, deklaroi Wigand.
Sipas tij, Dhomat e Specializuara japin drejtësi mbi bazën e procedurave të drejta, të paanshme dhe të pavarura, duke u bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale.
Wigand theksoi gjithashtu se personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimin përpara një trupi gjykues të veçantë në shkallën e apelit.
“BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve në Kosovë dhe në rajon që të tregojnë përmbajtje”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, duke nënvizuar rëndësinë e krijimit të një mjedisi të lirë nga frika dhe hakmarrja, si dhe mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve.
Edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian për Zgjerimin, Guillaume Mercier, iu referua qëndrimit të komisioneres evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Aktgjykimet e tyre duhen të respektohen dhe personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë”, deklaroi Mercier.
Ai theksoi se çështja lidhet me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
“Ne u bëjmë thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit vendet e rajonit mund t’i tejkalojnë ndarjet dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët, drejt Bashkimit Evropian”, shtoi ai.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Veseli me 18 vite dhe Selimi me 13 vite.
Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet./Versus.al

