Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e 18 shtatorit në Itali, ku një 42-vjeçare shqiptare humbi jetën pasi u përplas nga një kamion i mbetjeve në San Donà di Piave.
Viktima është identifikuar si Lavdije Isterfi, nënë e tre fëmijëve. Aksidenti ndodhi në zonën e Passarellës, pranë Via Paolo VI, teksa 42-vjeçarja po shoqëronte vajzën e saj 9-vjeçare për në shkollë.
Sipas të dhënave paraprake, kamioni ishte duke kryer një manovër kur përplasi gruan, e cila përfundoi poshtë mjetit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve të emergjencës, 42-vjeçarja nuk mundi të mbijetonte.
Vajza 9-vjeçare ndodhej pranë nënës së saj në momentin e aksidentit. Ajo nuk pësoi dëmtime fizike, por mbeti e tronditur nga ngjarja tragjike.
Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe efektivët e policisë lokale, të cilët ndërhynë për nxjerrjen e viktimës dhe sigurimin e zonës.
Policia lokale ka nisur hetimet për të përcaktuar dinamikën e saktë të aksidentit, manovrën e kryer nga drejtuesi i kamionit dhe rrethanat që çuan në përplasjen fatale.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht përgjegjësitë dhe shkaqet e aksidentit.

