Aktivisti Edison Lika ka bërë thirrje për vijimin e qëndresës qytetare, duke argumentuar se reagimi ndaj padrejtësive nuk duhet të kufizohet vetëm te protestat në shesh.
Në fjalën e tij, Lika u kërkoi qytetarëve të reagojnë në përditshmëri, në vendin e punës, në rrugë dhe në çdo situatë ku përballen me atë që e konsiderojnë padrejtësi.
Sipas tij, një shoqëri që reagon vazhdimisht do ta bëjë më të vështirë që qeveritë e ardhshme të përsërisin gabime ndaj qytetarëve.
“Ne duhet të reagojmë dhe të rezistojmë kudo që jemi. Duhet të reagojmë në punë, të reagojmë kur shikojmë një padrejtësi në rrugë, të reagojmë ndaj Policisë së Shtetit. Kjo është gjëja më e rëndësishme që duhet të mësojmë nga kjo protestë”, u shpreh Lika.
Ai shtoi se, sipas tij, përvoja e protestave duhet të shërbejë edhe si mësim për të ardhmen.
“Nëse kemi mësuar këtë, atëherë secili që do të vijë pas Edi Ramës do ta ketë shumë të vështirë që të bëjë gabime me këtë popull”, tha aktivisti.
Lika apeloi gjithashtu për një pjesëmarrje më të gjerë qytetare, duke theksuar se mbështetja nga distanca nuk është e njëjtë me angazhimin në protestë.
Ai argumentoi se një protestë, edhe nëse nis me pjesëmarrje të madhe, mund të kthehet në rutinë dhe se për të vijuar kërkohet angazhim i vazhdueshëm.
“Ky regjim nuk rrëzohet me dy ditë në protestë, as duke u futur brenda në Kryeministri. Ky regjim rrëzohet me njerëz që rezistojnë dhe e kanë ndarë mendjen të jenë këtu deri në fund”, deklaroi Lika.













