Health & Beauty Lifestyle

Farat e chias të bluara apo të plota! Cilat përthithen më mirë?

Farat e çias konsiderohen një “superushqim”, pasi janë burim i mirë i fibrave, acideve yndyrore omega-3 dhe antioksidantëve. Një studim sugjeron se farat e çias të bluara mund të ofrojnë më shumë përfitime ushqyese sesa farat e plota. Ekspertët thonë se farat e plota të çias janë gjithsesi të lehta për t’u tretur, sepse shtresa e jashtme e farës shpërbëhet kur bie në kontakt me lëngje. Ndërsa farat e plota janë të pasura me fibra, bluarja e tyre mund ta bëjë më të lehtë për trupin të përthithë proteinat dhe omega-3 që ndodhen brenda tyre.

A duhet t’i bluani farat e çias?

Një studim australian, i cili përdori mikrobet e zorrëve të derrave, sugjeroi se konsumimi i farave të çias të bluara mund të rrisë përfitimet shëndetësore të tyre. Farat e plota të çias mund të ndihmojnë shëndetin e sistemit tretës, por fibra e jashtme e tyre mund të pengojë çlirimin dhe përthithjen e disa lëndëve të tjera ushqyese, sipas James Cowley, PhD, bashkautor i studimit dhe studiues për zhvillimin e produkteve ushqimore në Universitetin e Adelaide në Australi. Nëse zgjidhni t’i bluani farat e çias, Cowley sugjeron t’i bluani pak para se t’i hani. “Një ose dy sekonda në një mulli erëzash ose kafeje mjaftojnë për të çarë farat,” tha ai. Nëse i bluani shumë kohë përpara konsumimit, ekspozimi ndaj oksigjenit mund të shkaktojë erë dhe shije të pakëndshme.

Përfitimet shëndetësore të farave të çias të bluara dhe të plota

Farat e çias përmbajnë polifenole, përbërës bimorë që kanë veti antioksiduese. Ato janë gjithashtu të pasura me fibra, kalcium, magnez, fosfor dhe kalium. Disa studime te kafshët sugjerojnë se farat e çias mund të ndihmojnë në përmirësimin e funksionit të zorrëve dhe të nxisin rritjen e baktereve të dobishme të zorrëve. Si farat e bluara, ashtu edhe ato të plota ofrojnë këto përfitime ushqyese. Farat e plota të çias janë gjithashtu të lehta për t’u tretur, sepse sipërfaqja e tyre shpërbëhet kur ekspozohet ndaj lëngjeve, tha Melissa Majumdar, MS, RD, CSOWM, LDN, zëdhënëse e Academy of Nutrition and Dietetics.

Përdorini në formën e plotë ose të bluara cilado mënyrë që është më e lehtë për t’i përfshirë në ushqimin tuaj, tha Majumdar.

Ajo vuri në dukje se farat e çias marrin një konsistencë xhelatinoze kur përzihen me ujë. Kjo mund të ngadalësojë tretjen dhe t’ju ndihmojë të ndiheni të ngopur për më gjatë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.