Ish-zv.kryeministrja dhe drejtuesja politike e PS-së në Qarkun e Fierit, Belinda Balluku ka zhvilluar një takim me qytetarët e Fierit në kuadër “Pranisë Besnike”.
Balluku ka pritur qytetarët në takim, ndërsa shprehet se çdo javë ka dhe më shumë besim për Praninë Besnike.
“Çdo javë dhe më shumë besim për Praninë Besnike!
Me Ramion Kurti ndamë sallën e Bibliotekës “Dritëro Agolli” për të pritur sa më shumë qytetarë sot, në qendër të #Fierit”, shkruan Balluku.
“Prania Besnike” është nisma më e re politike e Partisë Socialiste në Shqipëri. Ajo u prezantua nga kryeministri Edi Rama në shtator të vitit 2026. Përmes saj, qytetarët “mund të paraqesin drejtpërdrejt ankesat, shqetësimet dhe kërkesat e tyre”. Ky projekt shërben si aneks plotësues i dokumentit strategjik të PS-së, të quajtur “Besa”.
Më herët, kryeministri Edi Rama, në një postim në Facebook, bëri me dije se sot, në orën 17:00, ka nisur në të gjithë Shqipërinë “PRANIA BESNIKE” e Partisë Socialiste, e cila, sipas tij, do të zhvillohet çdo të premte, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend.
