Pentagoni ka publikuar të premten një tjetër grup dokumentesh, videosh dhe imazhesh që lidhen me fenomenet ajrore të pashpjegueshme, duke shënuar publikimin e gjashtë në kuadër të përpjekjeve të qeverisë amerikane për të bërë publike të dhënat historike mbi UFO-t.
Materialet e fundit përfshijnë pamje video të objekteve që dukeshin sikur po grumbulloheshin në qiell mbi Utah në vitin 1952, si dhe një raport shpenzimesh të vitit 2008. Dokumenti evidenton kostot e një hetimi qeveritar që kapte vlerën e afro 22 milionë dollarëve dhe që kishte në fokus fenomenet ajrore të pashpjegueshme.
Publikimi i ri vjen pas pesë grupeve të mëparshme të materialeve të bëra publike, pas urdhrit ekzekutiv të nënshkruar më herët këtë vit nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për të udhëzuar administratën amerikane që të nxirrte në dispozicion të publikut të dhënat e lidhura me UFO-t.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnel, deklaroi se publikimi i së premtes përfaqëson grupin e gjashtë të dosjeve të deklasifikuara dhe historike mbi Fenomenet Anomale të Paidentifikuara, të njohura si UAP.
“Sot, Departamenti i Luftës po publikon publikimin e gjashtë të dosjeve të deklasifikuara dhe historike të Fenomeneve Anomale të PaIdentifikuara (UAP) si pjesë e Sistemit Presidencial të Zbulimit dhe Raportimit për Takimet me UAP (PURSUE)”, tha Parnel.
Ai bëri të ditur gjithashtu se procesi i publikimit do të vijojë edhe në të ardhmen, duke theksuar se Departamenti i Luftës planifikon të nxjerrë vazhdimisht dosje të tjera dhe se po punon për publikimin e radhës të materialeve që lidhen me UAP-të.

