Itali/ 13-vjeçari sulmon mësuesen me thikë, tentoi ta transmetonte live në rrjetet sociale

Një ngjarje e rëndë është regjistruar të premten në mëngjes në një shkollë në Romë, ku një nxënës 13-vjeçar ka sulmuar mësuesen e tij.
Sipas informacioneve paraprake, i mituri e ka spërkatur fillimisht mësuesen në fytyrë me sprej dhe më pas e ka plagosur me thikë.
Pas sulmit, 13-vjeçari dyshohet se ka tentuar ta filmonte ngjarjen me telefon dhe ta transmetonte drejtpërdrejt në Telegram. Megjithatë, një bashkëmoshatar ka ndërhyrë duke e ndaluar.
Policia ka sekuestruar telefonin e të miturit për ta ekzaminuar dhe për të verifikuar nëse sulmi është regjistruar apo transmetuar online.
Nxënësi është shoqëruar në polici nga prindërit e tij, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Pas incidentit, ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, kontaktoi drejtoreshën e shkollës, Wanda Giacomini.




