Teuta: anatomia e një simboli, estetika e pushtetit dhe paradoksi i monumentit

18 Shtator 2026, 21:32Kulturë TEMA
Teuta: anatomia e një simboli, estetika e pushtetit dhe paradoksi i

Nga Dr. Kujtim Halili

Ka diçka domethënëse në faktin që shtatorja e re e Teutës nuk është vendosur në një shesh urban, pranë një muzeu apo në një hapësirë arkeologjike, por mbi një pikë panoramike, përballë peizazhit të Adriatikut. Monumenti është rreth 8,70 metra i lartë, me rreth 5,45 metra shtatore bronzi dhe 3,25 metra piedestal; autori është skulptori Julian Muçollari, ndërsa projekti u inicua nga gazetari Marin Mema dhe u mbështet nga kontribute qytetarësh, me Bashkinë e Lezhës që financoi piedestalin dhe rehabilitimin e hapësirës.

Por, përtej të dhënave të projektit, pyetja artistike është më interesante: çfarë Teute ka krijuar skulptori? Dhe, më tej: çfarë duam të themi sot kur vendosim në hapësirën publike një grua të lashtësisë me mburojë, heshtë dhe gjarpër?

Këtu fillon vlera e një analize plastike: monumenti nuk duhet parë vetëm si ilustrim i një personazhi historik, por si një tekst i ri mbi historinë, i shkruar me bronz, përmasa, qëndrim kompozicional, atribut dhe hapësirë.

Në shikim të parë, shtatorja ndërtohet mbi një formulë klasike të monumentit heroik: figura vertikale, frontalitet, armë, mburojë dhe piedestal i lartë. Teuta nuk paraqitet në lëvizje. Ajo nuk sulmon, nuk drejton ushtrinë dhe nuk dialogon me ndonjë personazh tjetër. Ajo qëndron. Ky është një dallim shumë i rëndësishëm.

Monumenti nuk e rrëfen Teutën; ai e kanonizon atë. Trupi vendoset në një bosht pothuajse të drejtpërdrejtë vertikal, i cili fillon nga piedestali, kalon përmes trupit dhe vazhdon në heshtën e ngritur. Heshta është më shumë se armë: ajo shndërrohet në bosht simbolik të të gjithë kompozimit. Në anën tjetër, mburoja krijon masën e dytë kompozicionale. Kështu formohet një ekuilibër midis dy elementeve: heshta – vertikaliteti – autoriteti dhe mburoja – masa – mbrojtja. Trupi i Teutës ndodhet ndërmjet tyre si një pikë stabiliteti. Kjo e bën figurën të lexueshme nga larg, gjë që është një nga kriteret themelore të skulpturës monumentale.

Një nga aspektet më interesante të veprës është mënyra se si trajtohet trupi femëror. Teuta nuk është ndërtuar si një trup i brishtë, dekorativ apo sensual. Është një trup i monumentalizuar. Shpatullat janë të fuqishme, kraharori i mbrojtur nga parzmoreja, krahët janë të ekspozuar si pjesë aktive të strukturës kompozicionale, ndërsa këmbët dhe trupi humbasin pjesërisht nën masën e gjatë të veshjes. Kjo e largon figurën nga portreti individual dhe e afron me arketipin e gruas-luftëtare.

Këtu gjendet edhe një paradoks interesant. Figura është grua, por gjuha plastike që përdor monumenti është kryesisht ajo e heroizmit ushtarak tradicional: armaturë, heshtë, mburojë, qëndrim autoritar. Pra, monumenti nuk e ndërton identitetin e Teutës përmes mëmësisë, diplomacisë, administrimit apo dimensionit politik të figurës, por përmes forcës së armatosur. Kjo është një zgjedhje estetike dhe ideologjike e rëndësishme.

Fytyra është ndoshta pjesa më njerëzore e shtatores. Ndryshe nga dinamika e armëve, fytyra është relativisht e qetë. Shikimi është përpara, serioz, i kontrolluar. Nuk kemi një britmë luftarake, një mimikë të ekzaltuar apo një shprehje të dhimbjes. Kjo krijon një kontrast të bukur: trupi flet për luftë, fytyra flet për kontroll.

Në këtë aspekt, Teuta nuk paraqitet si një luftëtare në momentin e betejës, por si një sovrane që posedon autoritetin e luftës. Ky dallim është estetikisht i rëndësishëm. Skulptori duket se ka zgjedhur të monumentalizojë jo aksionin, por potencialin e aksionit. Teuta nuk po lufton. Ajo po tregon se mund të luftojë.

Parzmorja është një nga elementet më të ngarkuara të veprës. Ajo është e mbushur me ornamente, forma rrethore, motive lineare dhe dekoracione që synojnë të ndërtojnë një gjuhë të lashtë.

Edhe mburoja përdor rrathë koncentrikë e radialë, të cilët, lidhen simbolikisht me diellin dhe me një dimension të interpretuar si ilir. Këtu duhet bërë një dallim ndërmjet faktit arkeologjik dhe interpretimit artistik modern. Ne nuk kemi një portret autentik të Teutës që të na tregojë fytyrën, trupin apo veshjen e saj. Për më tepër, burimet antike nuk na japin një repertor të plotë vizual të kostumit të saj. Për rrjedhojë, çdo paraqitje moderne e Teutës është në një masë të konsiderueshme rikonstruksion imagjinar dhe ikonografik.

Kjo nuk është domosdoshmërisht dobësi e veprës. Përkundrazi, është pjesë e natyrës së artit monumental. Por duhet pranuar se shtatorja nuk na tregon “si dukej Teuta”; ajo na tregon si e imagjinon Shqipëria bashkëkohore Teutën. Dhe ky është një dallim thelbësor.

Nëse do të veçoja një element nga pikëpamja ikonografike, do të ishte gjarpri që mbështillet rreth heshtës. Ai e ndryshon ndjeshëm leximin e veprës. Heshta, në vetvete, është atribut i drejtpërdrejtë i luftëtarit. Gjarpri e çon figurën në një tjetër dimension: atë të simbolit, mitit, natyrës dhe botës së lashtë.

Në interpretimin e publikuar për monumentin, gjarpri konsiderohet si një element totemik dhe lidhet me botën mitike të lashtësisë. Megjithatë, nga pikëpamja kritike, duhet të shmangim shndërrimin automatik të çdo gjarpri në një “simbol ilir autentik”. Këtu ndodhemi përballë një ndërtimi bashkëkohor të simbolikës së lashtësisë. Dhe pikërisht për këtë arsye gjarpri është ndoshta elementi më bashkëkohor i shtatores. Ai nuk është thjesht dekor. Ai e bën heshtën të duket sikur del nga një botë mitike.

Fustani i gjatë krijon një masë vertikale që e lidh figurën me piedestalin. Palat e shumta krijojnë një ritëm të vazhdueshëm linear. Në pjesën e sipërme kemi kompleksitet: fytyrë, flokë, kurorë, parzmore, mburojë, krahë. Në pjesën e poshtme kemi ritëm. Kjo është një zgjedhje efektive për një figurë të vendosur në lartësi të madhe.

Nga larg, detajet e vogla zhduken dhe mbetet silueta. Dhe silueta e Teutës është e lexueshme: një figurë femërore, e gjatë, e armatosur, me heshtë vertikale dhe mburojë anësore. Kjo është një nga arritjet më të rëndësishme plastike të veprës.

Bronzi i patinuar krijon një efekt të veçantë kundrejt qiellit të hapur. Në fotografinë e monumentit, ngjyra e gjelbër e patinës krijon kontrast me blunë dhe të bardhën e qiellit. Kjo e bën figurën të duket pothuajse si një artefakt i ardhur nga koha. Është një efekt shumë i përshtatshëm për monumentin.

Por ekziston edhe një paradoks: sa më e re të jetë vepra, aq më shumë patina e gjelbër e bën atë të duket sikur ka ardhur nga një e kaluar e largët. Pra, materiali krijon një iluzion të kohës. Bronzi nuk është vetëm material ndërtimor; bëhet pjesë e narrativës.

Vendndodhja është ndoshta vendimi më i rëndësishëm i gjithë projektit. Teuta është vendosur në “Ballkonin Panoramik”, përgjatë aksit Shëngjin–Velipojë, mbi peizazhin e Adriatikut. Burimet e ditëve të fundit e paraqesin monumentin edhe si pikë të re kulturore dhe turistike.

Kjo e ndryshon natyrën e veprës. Ajo nuk është më vetëm monument për Teutën. Ajo është gjithashtu monument për peizazhin. Teuta shikon detin. Kjo krijon një marrëdhënie ikonografike shumë të fuqishme me historinë e Adriatikut, lëvizjen detare dhe hapësirën që në antikitet ishte një nga fushat e veprimit të mbretërisë së saj. Kështu, vendosja nuk është neutrale. Deti bëhet pjesë e kompozimit.

Këtu analiza plastike duhet të kalojë në analizë kritike. Historia e Teutës është shumë më komplekse sesa formula “mbretëreshë ilire = grua e fuqishme me heshtë”.

Pas vdekjes së Agronit, Teuta mori drejtimin politik si regjente për Pinnesin, djalin e mitur të Agronit. Burimi kryesor për konfliktin me Romën është Polibi, i cili e paraqet Teutën në mënyrë shumë kritike.

Polibi rrëfen për konfliktet me tregtarët italianë, piraterinë dhe misionin diplomatik romak. Në rrëfimin e tij, një prej të dërguarve romakë u vra pas përplasjes me Teutën; ky episod u bë pjesë e justifikimit të konfliktit që çoi në Luftën e Parë Ilire.

Por duhet mbajtur parasysh se kemi të bëjmë me një burim të shkruar nga pala greko-romake, në kontekstin e konfliktit me Romën. Prandaj, monumenti i sotëm nuk është thjesht “ilustrim” i Polibit. Ai është një riinterpretim kombëtar i një figure historike të diskutueshme. Dhe pikërisht këtu fillon problemi më interesant i monumentit.

Teuta që shohim në bronz nuk është vetëm personazhi i vitit 228 p.K. Ajo është një konstruksion i kujtesës shqiptare të shekullit XXI.

Ajo duhet të jetë njëherësh:

* mbretëreshë;

* luftëtare;

* grua;

* simbol i identitetit;

* figurë e lashtësisë;

* shenjë e territorit;

* atraksion turistik.

Kaq shumë funksione mbi një trup të vetëm mund ta bëjnë monumentin të rrezikojë mbingarkesën simbolike. Por kjo është edhe arsyeja pse ai është interesant.

Nëse arsyetimi është: “Është simbol historik. Simbol i forcës ilire. Na duhet ky simbol”, atëherë pyetja e vërtetë nuk është më vetëm “A është Teuta figurë historike e rëndësishme?” Pyetja është: Pse hapësira publike shqiptare vazhdon ta përkthejë historinë kryesisht përmes forcës, shpatës dhe luftës?

Këtu ironia e përdorur nga Auron Tare për “drejtoreshat luftarake” bëhet një metaforë interesante.

Sigurisht, ajo nuk duhet marrë si gjykim për gratë në drejtim apo për drejtueset e sotme. Vlera e saj është si satirë mbi mënyrën se si pushteti imagjinohet në monument.

Sepse edhe në monument Teuta duhet të jetë e fortë. Duhet të ketë heshtë. Duhet të ketë mburojë. Duhet të jetë e madhe. Duhet të dominojë horizontin. Në një farë mënyre, monumenti vazhdon një traditë shumë të vjetër të artit politik: pushteti duhet të duket.

Këtu mund të ndërtohet edhe një lexim më kritik i veprës. Teuta është paraqitur si fitimtare, ndërsa historia e saj përfundon me një humbje politike përballë Romës. Pas konfliktit të Luftës së Parë Ilire, kushtet e vendosura ndaj saj kufizuan ndjeshëm pushtetin dhe lëvizjen detare të mbretërisë. Prandaj shtatorja nuk duhet lexuar vetëm si monument i fitores. Ajo mund të lexohet edhe si monument i një fuqie që ishte e madhe, por e përkohshme. Dhe këtu bronzi bëhet më interesant se propaganda. Teuta qëndron. Por historia e saj tregon se asnjë pushtet nuk qëndron përgjithmonë.

Pse jo Agroni? Pse jo Bardhyli? Pse jo Genti? Agroni do të përfaqësonte fuqizimin e mbretërisë së Ardiejve para Teutës. Burimet antike e paraqesin ushtrinë dhe flotën e tij si jashtëzakonisht të fuqishme për kohën. Nëse qytetet shqiptare fillojnë të mbushen me monumente të figurave ilire, ekziston rreziku që hapësira publike të shndërrohet në një galeri statujash të armatosura. Por historia nuk është vetëm luftë.

Një politikë monumentale më komplekse do të mund të paraqiste edhe: sundimin, diplomacinë, dijen, tregtinë, qytetin, detin, bujqësinë, artin dhe jetën e përditshme. Atëherë monumenti do të bëhej jo vetëm dekor patriotik, por instrument edukimi historik.

Në aspektin plastik, shtatorja është ndërtuar mbi një gjuhë monumentale të qartë dhe të komunikueshme. Vertikaliteti i heshtës, masiviteti i mburojës, ritmi i veshjes, frontaliteti i figurës dhe patina e bronzit krijojnë një siluetë të fortë, të lexueshme dhe të përshtatshme për një hapësirë panoramike.

Por vlera e saj kritike nuk qëndron vetëm te aftësia për të përfaqësuar një mbretëreshë ilire. Ajo që e bën veprën interesante është hendeku ndërmjet Teutës historike dhe Teutës së imagjinuar nga monumenti bashkëkohor.

Historia na jep një figurë të ndërlikuar, të njohur kryesisht përmes burimeve të shkruara nga kundërshtarët e saj.

Skulptura na jep një grua të sigurt, të bukur, të fuqishme, të qetë dhe të armatosur.

Pra: Polibi na jep konfliktin. Monumenti na jep simbolin. Peizazhi i jep përmasën mitike. Ndërsa shikuesi i sotëm duhet të vendosë se çfarë dëshiron të kujtojë.

Dhe ndoshta këtu qëndron pyetja më e rëndësishme që shtatorja i drejton shoqërisë shqiptare:

A kemi nevojë gjithmonë për një figurë me heshtë në dorë që të besojmë se historia jonë ka qenë e fuqishme? Sepse, nëse përgjigjja është po, atëherë monumenti na tregon jo vetëm diçka për Teutën. Na tregon diçka për ne.

Dhe pikërisht në këtë kuptim, ky manifest artistik shndërrohet në një kritikë të mënyrës se si prodhojmë kujtesë publike: ne kërkojmë një figurë të madhe, e vendosim mbi një piedestal edhe më të madh dhe i japim një armë në dorë; pastaj besojmë se kemi ndërtuar historinë. Por historia nuk është vetëm ajo që vendosim mbi piedestal. Historia është edhe ajo që zgjedhim të mos vendosim aty.

Në këtë kuptim, Teuta e Shëngjinit është një monument që meriton të diskutohet jo vetëm për atë që përfaqëson, por edhe për atë që mungon në ikonografinë e saj: dimensioni politik, kompleksiteti njerëzor, humbja, përgjegjësia e pushtetit dhe, mbi të gjitha, një koncept më i gjerë i forcës që nuk matet vetëm me gjatësinë e heshtës. Kjo e bën shtatoren një objekt interesant për kritikën e artit bashkëkohor: ajo nuk është thjesht një imazh i Teutës; është një pasqyrë e mënyrës se si Shqipëria e sotme dëshiron ta shohë të kaluarën e saj.

Lini një Përgjigje