Altin Krasniqi ka folur për dënimin 25-vjeçar të babait të tij, Jakup Krasniqit, nga Gjykata Speciale në Hagë, duke e cilësuar vendimin si një moment veçanërisht të rëndë për familjen.
Në një lidhje direkte për emisionin “Review” me Greta Topjanën, Altin Krasniqi tha se e ka vizituar të atin pas shpalljes së vendimit dhe se, pavarësisht situatës, ai vijon të ketë vullnet të fortë.
“Momenti i vendimit ka qenë shumë i rëndë. Babain e kam vizituar dhe ai ka një vullnet të fortë. Jam shumë krenar për të”, u shpreh ai.
Ajo që e rëndon më shumë familjen, sipas tij, është kohëzgjatja e dënimit dhe mosha e Jakup Krasniqit. Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës është 76 vjeç dhe, sipas të birit, ekziston mundësia që të mos e përjetojë përfundimin e dënimit.
“25 vite janë një dënim shumë i rëndë. Babai është 76 vjeç dhe në momentin kur i përfundon ky dënim mundet të mos jetë gjallë”, tha Altin Krasniqi.
Ai foli edhe për protestën dhe mbështetjen e qytetarëve ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se kjo përbën një burim force për familjarët.
“Mbështetja në protestë është një motiv i madh. Populli i ka shpallur të pafajshëm”, deklaroi ai.
Altin Krasniqi tha se familja ndihet krenare për Jakup Krasniqin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, ndërsa e lidhi jetën e sotme të Kosovës me luftën e viteve ’90.
“Jemi krenarë për të gjithë secilin prej tyre. Jemi krenarë për të, sepse kemi 20 vjet të lirë që mund të mos i kishim pa luftën e UÇK-së”, përfundoi ai.











