Sigal Prishtina ka njoftuar se ndeshjen ndaj Pejës nuk do ta zhvillojë dhe kështu do ta humbë me rezultat zyrtar.
Ndeshja është dashur të zhvillohet të shtunën nga ora 17:00. Ishte ndeshje hapëse e kampionatit të ri të Kosovës në basketboll. Por Prishtina nuk ka mundur ende të regjistrojë lojtarët e rinj. Është e sanksionuar nga BAT-i për obligime të pakryera.
Klubi prishtinas ka pranuar se ka obligime financiare ndaj agjentëve dhe disa lojtarëve të cilat janë grumbulluar nga fillimi i sezonit të kaluar.
“Këto obligime, për shkak të mosrespektimit të afateve të pagesave në periudhën përkatëse ne fund te vitit 2025, kanë çuar në paraqitjen e rasteve pranë FIBA-s dhe Basketball Arbitral Tribunal (BAT). Me kalimin e kohës, detyrimet janë akumuluar dhe kanë arritur në shuma të konsiderueshme”, ka shkruar Prishtina.
Prishtina thotë se pagesat janë kryer, por me vonesë. Klubi ka falënderuar FBK-në për veprimet e ndërmarra për mbështetjen e zgjidhjes së situatës. Por, dalja nga telashet ka qenë e pamundur në fillim të edicionit.
Edhe
Mes paqartësive fillon Superliga në basketboll
“Pagesat e kërkuara nga avokati ynë, i cili na përfaqëson pranë FIBA-s, janë kryer, ndonëse me një vonesë të caktuar. Megjithatë, procedurat pranë FIBA-s janë të ngarkuara edhe me raste të tjera të klubeve që janë në radhë para nesh dhe që përballen me probleme të ngjashme”, ka shkruar klubi prishtinas.
Të shtunën në elitën e basketbollit të Kosovës do të luhen dy ndeshje të xhiros së parë.
Nga ora 19:00, Rahoveci 029 përballet me kampionen në fuqi të Kosovës, Trepçën, që edhe në këtë edicion mbetet prej favoriteve.
Nga ora 20:00, Bora luan me Vëllaznimin. Skuadra gjakovare mbeti në Superligë pasi Drita e Gjilanit nuk i plotësoi kriteret për të garuar në elitë. Ndërkohë, skuadra prishtinase, Bora, pritet të jetë skuadër stabile.
Edhe
Xhiroja nis me një derbi e përfundon me një tjetër
Të dielën zhvillohet derbi i xhiros së parë. Nga ora 17:00, Bashkimi e pret Golden Eagle Yllin në Prizren.
Të dyja skuadrat janë përforcuar me lojtarë cilësorë dhe synojnë fitore.