Mijëra qytetarë kanë protestuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të kundërshtuar vendimin dënues të Speciales ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ndër kërkesat e protestuesve ka qenë shfuqizimi ose ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla e mbështetja financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së
Hamza: Protesta s’është e drejtuar ndaj askujt, por në përkrahje të plotë të ish-krerëve të UÇK-së
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në një prononcim për gazetarë gjatë protestës ka thënë se vendimi dënues i Gjykatës Speciale ndaj katër ish krerëve të UÇK-së është i papranueshëm dhe, sipas tij, i pabazuar në fakte.
Hamza tha se kjo protestë nuk është drejtuar ndaj askujt, por është në përkrahje të plotë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Ne jemi për drejtësi, jemi kundër padrejtësisë dhe tash këtë proces, këtë gjykatë çka kemi pa, kemi pa padrejtësi. Ky është një vendim i papranueshëm për qytetarët e Kosovës, vendim i padrejtë, i pabazuar në fakte, është vendim politik dhe sigurisht ne jemi këtu me shpreh pakënaqësinë tonë. Kjo protestë është në përkrahje të liderëve tanë, të udhëheqëseve të UCK-së, solidarizim dhe përkrahje e pakufishme për të. Nuk është e drejtuar ndaj askujt, po, në përkrahje të plotë. Do bëjmë gjitha veprimet e nevojshme, demokratike, edhe protesta, por, edhe veprime ligjore . Besoj se sot do të konkretizojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Hamza, raporton EO.
Specialja dy ditë më parë i ka dënuar me nga 25 vjet Burgim Thaçin e Krasniqin, me 18 vjet Veselin e me 13 Selimin.
Limaj: Duhet të diskutohet integriteti i gjyqtarëve që gjykuan ish-krerët e UÇK-së
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka marrë pjesë në protestën e mbajtur në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë.
Limaj tha se një nga çështjet kryesore që duhet të diskutohet është integriteti i gjyqtarëve që marrin vendime në këto procese. Ai tha se gjyqtari që ka udhëhequr trupin gjykues ka zbatuar urdhra politikë.
“Po e shihni sa i rëndësishëm është integriteti personal i një gjyqtari. Një gjyqtar që hapur ka zbatuar urdhra politikë, ka kryesuar trupin gjykues dhe sot …”, tha Limaj në një deklarim për media gjatë protestës.
Limaj tha se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet pikëpyetjeve rreth personave që gjykojnë dhe integritetit të tyre.
“Një nga temat kryesore që duhet të diskutohet është pikëpyetja e atyre që gjykojnë, integriteti i atyre që gjykojnë, ndaj një padrejtësie që po bëhet ndaj njerëzve nga njerëz pa integritet. Dhe gjëja e parë që duhet të kërkohet është, kush janë gjyqtarët, integriteti i tyre…”, tha mes tjerash ai./EO
Gucati: Kurti ta përjashtojë nga Qeveria Gërvallën, ka dorëzuar dokumente në Hagë
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, i ka drejtuar një kërkesë Gjykatës Speciale e një Qeverisë në Kosovë.
Ai ka kërkuar nga gjykata që vendimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së ta shfuqizojë, e i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që ta shkarkojë ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
“Ne sot na befason që ende institucionet nuk e kanë thënë asnjë fjalë. Në vend që Donika Gërvalla të japë një deklaratë për një padrejtësi që është bërë për çlirimtarët, ajo sot hesht. Ne e dimë që Donika Gërvalla ka dorëzuar dokumente në Hagë, ne e dimë që Liburn Aliu ka folur në parlament, i themi Albin Kurtit që këta njerëz t’i përjashtojë nga Qeveria. Njerëz që bashkëpunojnë me armikun, janë armiq të vendit dhe kombit dhe ne nuk i duam në mesin tonë”, ka thënë ai para protestuesve.
Gucati i ka kërkuar edhe Gërvallës kërkimfalje e sqarim Liburn Aliut. Aliu ishte ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, deri në gusht të vitit 2025, kur dha dorëheqje. Aktualisht, ai ushtron pozitën e drejtorit të portit të Durrësit në Shqipëri.
“Më befason Kurti si e mban ende në zyre një njeri që nuk e thotë asnjë fjalë. Gërvalla le të kërkojë falje, kërkojmë sqarim nga Gërvalla dhe Aliu të deklarojnë ku i morën ato informata, kush janë ata që i kanë vrarë ata njerëz. Jo të drejtohet gishti nga pjesëtarët e UÇK-së”.
Mijëra qytetarë protestojnë kundër Speciales
Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në kundërshtim të vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së.
Mes tyre janë edhe deputetë dhe figura publike.
Djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, u ka bërë thirrje partive politike e shoqërisë për bashkim, duke thënë se mbrojtja e luftës së UÇK-së dhe vlerave të saj është luftë e përbashkët.
“Ajo që ndodhi në Hagë nuk mund ta shohim vetëm si çështje ndaj katër individëve... Për gjashtë vjet kemi kërkuar drejtësi sepse kemi besuar se drejtësia do të triumfojë përmes fakteve, provave dhe një procesi të drejtë. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi, por drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, provat duhet të shqyrtohen me paanshmëri, dëshmitë duhet të vlerësohen me drejtësi dhe askush nuk duhet të dënohet mbi bazat e provave të fabrikuara e manipuluara”, ka deklaruar ai.
Gjykata Speciale me seli në Hagë ka dënuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. Të gjithë janë dënuar për krime lufte, ndërsa janë shpallur të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.







Ambasada amerikane i bën thirrje stafit të vet: Shmangni sheshin “Skënderbeu”
Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka lëshuar paralajmërim për stafin e vet për shmangie të sheshit “Skënderbeu” në Prishtinë sot. Kjo për shkak të protestës që do të nisë në orën 12:00.
Përveç zonave të protestave, Ambasada ka bërë thirrje për kujdes gjatë mbajtjes së tyre dhe vëmendje për rrethin ku mund të gjenden njerëzit.
“Disa organizata të mëdha kanë njoftuar protesta të mëdha për të premten, më 18 shtator, në orën 12:00, në Sheshin Skënderbeu. Këto protesta mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje rrugësh dhe çrregullime të rënda të trafikut në zonat përreth. Për shkak të grumbullimeve të mundshme masive dhe problemeve në trafik, ju lutemi ta shmangni Sheshin Skënderbeu dhe zonat përreth gjatë kësaj periudhe”, thuhet në paralajmërimin e ambasadës.
Ambasada më 14 shtator u pati bërë thirrje stafit të saj që për shkak të protestave në Prishtinë të mos i dërgonin fëmijët në shkolla dhe të shmangnin rrugët.
Policia u bën thirrje protestuesve që të mos mbajnë maska
Policia e Kosovës ka lutur qytetarët që po protestojnë kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së që të mos mbajnë maska gjatë protestave. Ajo ka njoftuar se ka bërë të gjitha përgatitjet policore për protestën që pritet të mbahet sot nga ora 12:00.
Policia ndër tjerash u ka bërë thirrje protestuesve që të tregojnë kujdes dhe të mos hedhin gjësende e mjete të forta.
“Me qëllim të garantimit të rendit e sigurisë publike, mbrojtjes së jetës dhe pronës si dhe ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve e pjesëmarrësve në protestë, Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në çdo protestë që të respektojnë dispozitat ligjore dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes e maturi gjatë protestimit, të mos hedhin gjësende e mjete të forta, të mos përdorin maska dhe të kontribuojnë që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Po ashtu, Policia njoftoi se për shkak të zhvillimit të protestës dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa rrugë që të shpien drejt shesheve të kryeqytetit.