web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nata e dytë e "Serenights Festival"/ Korça këndon në ritmet e serenatës

19 Shtator 2026, 07:33, Qyteti im CNA

Nata e dytë e "Serenights Festival"/ Korça këndon

Korça vijon të këndojë në ritmet e serenatës. Nata e dytë e “Serenights Festival” solli në skenë këngëtarë të njohur të qytetit, artistë të rinj dhe një repertor që ndërthur traditën me një interpretim më bashkëkohor. Në qendër të mbrëmjes ishte serenata korçare, si një prej simboleve më të rëndësishme të identitetit kulturor të qytetit.

Prej dekadash, serenata është pjesë e pandarë e jetës kulturore të Korçës. Për këngëtarin dhe krijuesin Mihallaq Andrea, kjo traditë nuk lidhet vetëm me instrumentin apo mënyrën e interpretimit, por me shpirtin e qytetit.

“Po ju e dini që unë kam krijuar shumë serenata dhe natyrisht s’më pëlqejnë vetëm ato që kam kënduar, që kam krijuar vetë, po dhe ato që këndon gjithë Korça. Qytetet kanë traditë. Kanë dhe histori. Po Korça ka shpirt. Edhe ky shpirt quhet serenatë.”

Andrea thekson se ruajtja e serenatës nuk duhet të kufizohet vetëm te përdorimi i kitarës. Sipas tij, ajo duhet të përcillet te brezat e rinj duke ruajtur emocionin dhe karakterin e këngës korçare, edhe kur interpretohet me formacione të ndryshme muzikore.

"Kur themi për të ruajtur origjinalitetin, ju lutem mos përdorni vetëm termin 'kitarë'. Se po t'ju tregoj për fëmijët e mi, grupet e tyre, shokët, këndojnë me kitara. Kjo quhet traditë? 'Jo', them unë. Ju do të dëgjoni ata djemtë sot edhe vajzat, janë të mrekullueshëm. Si i këndojnë ato këngë sa bukur në skenë! Edhe me një orkestër gati frymore që s'do të mendonte njeri se kjo orkestër mund t'i dilte një serenate kaq bukur. Mirëpo serenata ka dhe gazmoren, të cilat na duhen shumë."

Nata e dytë e "Serenights Festival"/ Korça këndon

Në të njëjtën linjë është edhe këngëtari Tomi Kondakçi, i cili e sheh vazhdimësinë e serenatës si një përgjegjësi që kalon nga një brez te tjetri. Ai vlerëson edhe mbështetjen institucionale për ruajtjen dhe promovimin e kësaj tradite.

“Ne tani përcjellim ato që kemi trashëguar nga të parët tanë, nga brezat përpara nesh. Dhe qëllimi është që këtë që ne bëjmë sot, ta bëjnë më të rinjtë nesër. Ashtu siç morëm ne nga këngët e të parëve, këtë të marrin tanët edhe të vazhdojnë me të tyret. Është një vlerë e çmuar që ka Korça.”

Por krahas trashëgimisë, artistët ngrenë edhe shqetësimin për mënyrën se si teknologjia dhe ndryshimi i mënyrës së jetesës kanë ndikuar te zakoni i të rinjve për të kënduar serenata së bashku.

“Kryesisht jo, ka një rënie. Kuptohet teknologjia ka bërë punën e saj që nuk na ndihmon në këtë drejtim. Sa vjen dhe melodia po zbehet. Më vjen keq të shikosh të rinjtë me telefona nëpër duar. Një këngë s'e këndojnë, ose të mblidhen siç mblidhemi ne, brezi ynë, një grup me kitara të këndojnë. Edhe secili të përfaqësojë veten. Nga kjo tavolinë vijnë edhe këngët.”

Nata e dytë e festivalit solli një ndërthurje mes tingujve tradicionalë të serenatës dhe një fryme më moderne. Drejtuesi artistik i bandës, Rajkard Bardhi, tregon se përballja me repertorin korçar ishte një sfidë artistike, por edhe një mundësi për ta sjellë atë te publiku në një tjetër formë.

“Vijmë te qyteti më romantik i Shqipërisë, me serenatën. Normalisht për ne është një lloj sfide, pasi serenata në Korçë është stampë. Dhe ne jemi munduar që ta risjellim programin që kemi sot me një frymë pak më perëndimore.”

Në skenën e “Serenights” u bashkuan emra të njohur të serenatës korçare, si Mihallaq Andrea, Ermira Kola dhe Tomi Kondakçi, së bashku me artistë të rinj. Një ndërthurje brezash që synon ta mbajë gjallë traditën dhe t’i japë asaj një tjetër dimension përballë publikut të sotëm.

"Normalisht që band-i është fantastik dhe me bashkëpunim me këngëtarët më të njohur të Korçës ndër vite, siç janë Mihallaq Andrea, Ermira Kola, Tomi Kondakçi, gjithashtu kemi dhe të rinjtë cilët promovojnë më së miri serenatën korçare."

Nata e dytë e "Serenights Festival"/ Korça këndon

Dhe në themel të kësaj muzike mbetet emocioni. Dashuria, romantizmi dhe historitë që për dekada janë kënduar nën ballkone, vijojnë të jenë pjesë e identitetit të serenatës.

“Si çdo muzikë tjetër edhe serenata funksionon me ndjesi. Dhe ndjesia e parë që vjen kur përmend serenatën është romanticiteti, tekstet e bukura, ballkonet ku i këndohet dashurisë. Kështu që për sa kohë e ke këtë në mendje, çdo gjë vjen natyrshëm.”

Për artistët e rinj, të ngjiten në skenë përkrah emrave që kanë shkruar historinë e serenatës është një mundësi për të marrë përsipër vazhdimin e kësaj tradite. Erika Ahmeti e përshkruan serenatën si pjesë të pandarë të rritjes dhe identitetit të saj artistik.

“Jam shumë e emocionuar të këndoj pranë Mihallaq Andreas, të këndoj këngët e tij që janë kënduar nga populli korçar gjithmonë dhe jam shumë e lumtur që ne po i përcjellim sërish ato këngë. Gjithashtu me Ermira Kolën kemi për të kënduar bashkë dhe me Tomi Kondakçi. Është një privilegj i madh të këndosh me këta artistë.”

Përtej një mbrëmjeje muzikore, “Serenights Festival” synon të rikthejë në vëmendje një traditë që është përcjellë brez pas brezi dhe që vazhdon të jetë një nga shenjat dalluese të Korçës. Në një kohë kur mënyra e komunikimit dhe e argëtimit ka ndryshuar, këngëtarët kërkojnë që serenata të mos mbetet vetëm pjesë e kujtesës, por të vazhdojë të këndohet edhe nga brezat e rinj.

“Serenata për mua është pothuajse gjithçka. Ne jemi rritur me serenatën, familja ime është rritur me serenatën dhe unë vazhdoj ta trashëgoj traditën.”

Nata e dytë e “Serenights Festival” dëshmoi edhe një herë se serenata mbetet një nga zërat më të veçantë të Korçës. Nga këngëtarët që e kanë shoqëruar ndër vite, tek artistët e rinj që po marrin stafetën, tingujt e saj vijojnë të mbushin qytetin me dashuri, nostalgji dhe emocion. Një traditë që nuk kërkon të mbetet vetëm në të shkuarën, por të vazhdojë të jetojë, të përshtatet dhe të këndohet nga brezi në brez./ CNA





19:09 Qyteti im Luan Rama

Në qytetin e poetëve

NDOC GJETJA/ NDERA DHE MARRA E LEZHËS… Krejt pavetëdijshë...

Lajmet e fundit nga