EKONOMI & MJEDIS /

Rezerva e naftës do të jepet me “koncesion”, shërbimet do të kontraktohen pa prokurim

Shkruar nga Versus

Rezerva e naftës do të jepet me “koncesion”,

Qeveria synon rigjallërimin e disa sektorëve strategjikë nëpërmjet modelit të partneritetit publik me privat.

Autoriteteve shoqërore të krijuara enkas për administrimin e një veprimtarie të caktuar me qëllime strategjike, po u jepet e drejta që të mund të bashkëpunojnë me operatorë private, duke krijuar partneritet publik privat apo bashkime operatorësh për kontraktim shërbimesh pa prokurim publik.

Projektligji i miratuar së fundmi nga Këshilli i Ministrave, që synon për herë të parë ngritjen e një rezerve nafte që do të administrohet nga shteti, i jep kompanisë shtetërore si Autoriteti për Rezervën e Sigurisë së Naftës të drejtën të blejë dhe të shesë naftë pa prokurim publik, pra pa garë. Kjo marrëdhënie është e justifikuar me natyrën specifike të funksionimit të rezervës. E drejtë e Autoritetit për të kryer blerje dhe shitje të naftës, pa prokurim publik përcaktohet në një nga pikat e nenit 10 projektligjit “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”.

“Autoriteti, për qëllime të krijimit, depozitimit dhe administrimit të rezervave të sigurisë së naftës, mund të kryejë blerjen, shitjen dhe kontraktimin e shërbimeve të depozitimit të rezervave nëpërmjet procedurave të veçanta, të cilat nuk u nënshtrohen rregullave të prokurimit publik, për aq kohë sa justifikohet nga natyra specifike dhe funksioni i rezervave të sigurisë, duke garantuar parimet e transparencës, konkurrencës dhe mosdiskriminimit”, përcaktohet te neni 10 i projektligjit.

Në planin e veprimit, referuar nenit 4, përcaktohet se rezerva do të krijohet gradualisht, e shtrirë në kohë. Sasia e përgjithshme e naftës në rezervë sipas përcaktimeve në projketligj, do të jetë mesatarisht e njëjtë sa për 91 ditë importe neto apo 61 ditë konsum. Mesatarja ditore e importeve neto do të llogaritet në bazë të ekuivalentimit në naftë bruto të importeve të produkteve energjetike hidrokarbure gjatë vitit paraardhës kalendarik.

Importet vjetore të naftës për vitin 2025 llogariten në sasinë e 740 mijë ton. Sipas përcaktimeve që bën vetë ligji llogaritet që rezerva e sigurisë për naftën të përmbajë një sasi prej 185 mijë ton naftë. Në bursën e Londrës aktualisht çmimi i naftës Platts ka arritur rreth 1600 USD për ton. Sipas përllogaritjeve vlera e rezervës së sigurisë do të arrinte në 296 mln USD.

Rezerva strategjike që do të përdoret në raste të jashtëzakonshme, nëse në treg nuk do të arrihet të importohet, do të krijohet me depozitime të Autoritet shtetëror dhe Operatorëve ekonomikë.

Projektligji parashikon që operatorët ekonomikë do të jenë të autorizuar të depozitojnë naftë në bazë të marrëveshjeve kontraktore të lidhura me Autoritetin.

Përveç depozitimeve operatorët ekonomikë do të paguajnë edhe një tarifë për mirëmbajtjen e depozitës nga shteti, e cila do të transferohet në koston e çmimit final për naftën. Efekti i kostos shtesë te çmimi final është pranuar edhe nga vetë qeveria.

Në raportin e vlerësimit të projektligjit të publikuar në vitin 2025, këshilli i ministrave e pranonte se sigurimi i fondeve do të kërkojë, ndër të tjera, vendosjen e tarifës që do të aplikohet mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure, çka do të sjellë rritje të ngarkesës financiare në zinxhir dhe do të reflektohet në rezultatin final të çmimit të shitjes te konsumatori.

Por modeli për financimin e rezervës së naftës nëpërmjet një tarife është kundërshtuar nga Shoqata e Hidrokarbureve. Detyrimi i operatorëve për të paguar tarifën për depozitimin dhe mirëmbajtjen e naftës prej tyre është konsideruar si një taksë e fshehtë, pasi kjo pagesë nuk mund të konsiderohet si tarifë për një shërbim, pasi nuk bëhet fjalë për një shërbim që shteti i ofron kompanive, por për financimin e një detyrimi publik përmes një tarife të vendosur mbi karburantet.

Vetë mekanizmi gjithsesi ishte parashikuar që në fazën e konsultimit në vitin 2025, ku Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Ministrinë e Financave, do t’i propozonin Këshillit të Ministrave tarifën për krijimin dhe mbajtjen e rezervës së sigurisë, të aplikuar mbi produktet hidrokarbure që i nënshtrohen akcizës.

Edhe pa këtë taksë, Shqipëria, ndër vendet më të varfra të Evropës është e treta më e shtrenjtë në vlerë, me naftën që tregtohet aktualisht në gati 2.5 euro, në nivele gati të njëjta me Norvegjinë dhe Danimarkën. E matur sipas fuqisë blerëse, nafta është 2.6 herë më e shtrenjtë se mesatarja europiane.

Krijimi dhe llogaritja e rezervave të sigurisë

Rezervat e sigurisë krijohen gradualisht në përputhje me planin e veprimit, sipas nenit 7, të këtij ligji, deri sa shuma e përgjithshme e rezervave të sigurisë në Republikën e Shqipërisë të jetë të paktën 90 ditë mesatare ditore të importeve neto ose të paktën 61 ditë të mesatares ditore të sasisë të konsumit të brendshëm, cilado nga dy sasitë është më e madhe. Mesatarja ditore e importeve neto llogaritet në bazë të ekuivalentimit në naftë bruto të importeve të produkteve energjetike hidrokarbure gjatë vitit paraardhës kalendarik. Mesatarja ditore e konsumit të brendshëm llogaritet në bazë të ekuivalentimit në naftë bruto të produkteve energjetike hidrokarbure me konsumin e brendshëm gjatë vitit paraardhës kalendarik.

Mbajtja e rezervave të sigurisë

1.Mbajtja e rezervave të sigurisë së naftës bruto dhe të nënprodukteve të saj në territorin e Republikës së Shqipërisë përbën detyrim publik dhe garantohet në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore, në zbatim të tij.

2.Rezervat e sigurisë së naftës bruto dhe të nënprodukteve të saj depozitohen nga:

b) operatori ekonomik, i autorizuar në bazë të marrëveshjeve kontraktore të lidhura me Autoritetin, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji.

4.Rezervat e sigurisë, që janë në pronësi të shtetit shqiptar, duhet të jenë të siguruara në çdo kohë kundrejt rreziqeve, sipas legjislacionit në fuqi.

5.Operatorët ekonomikë, që depozitojnë rezervat e sigurisë së naftës, janë përgjegjës për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe sigurinë fizike të tyre, si dhe respektimin e standardeve teknike e të sigurisë, të përcaktuara me aktet nënligjore, në zbatim të këtij ligji.

6.Në rastet kur rezerva e sigurisë mbahet nga operatorët ekonomikë, Autorieti siguron që:

7.a) marrëveshjet kontraktore të garantojnë kontroll të plotë dhe disponueshmëri të menjëhershme të rezervave;

b) rezervat të mos jenë objekt i barrëve, pengjeve apo kufizimeve, që cenojnë përdorimin e tyre, në rast emergjence.

Autoriteti për Rezervën e Sigurisë

Autoriteti, për qëllime të krijimit, depozitimit dhe administrimit të rezervave të sigurisë së naftës, mund të kryejë blerjen, shitjen dhe kontraktimin e shërbimeve të depozitimit të rezervave nëpërmjet procedurave të veçanta, të cilat nuk u nënshtrohen rregullave të prokurimit publik, për aq kohë sa justifikohet nga natyra specifike dhe funksioni i rezervave të sigurisë, duke garantuar parimet e transparencës, konkurrencës dhe mosdiskriminimit. Monitor.al

Poll